Shtatori pritet të rindezë debatet politike. Mbledhja e Parlamentit të ri dhe shpallja e qeverisë së re janë dy zhvillimet më të bujshme që priten.
Por interesant është fakti se si Parlamenti i ri ashtu dhe qeveria janë në dorë të presidentit. Meta duhet të thërrasë mbledhjen e parë të Parlamentit, ndërkohë duhet po ashtu të dekretojë Ramën si kryeministër dhe të dekretojë qeverinë e re.
Teksa për thirrjen e Parlamentit Kushtetuta e ka një dispozitë zhbllokuese, për qeverinë e re ka shumë debate. Gazeta iu drejtua juristëve për të analizuar në aspektin juridik këtë çështje. Juristi i njohur Jordan Daci, në një reagim për gazetën u shpreh se është shumë e vështirë që presidenti të bllokojë formimin e qeverisë së re. Sipas tij, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që u mor pak muaj më parë, presidenti mund të penalizojë emra të caktuar ministrash, por në rastin e mandatimit të Ramës si kryeministër është e pamundur të bllokohet.
Por sipas tij edhe nëse kemi bllokim puna e qeverisë nuk pengohet pasi Rama mund të vijojë të punojë me qeverinë aktuale derisa Kushtetuesja të vendosë për zgjidhjen e konfliktit. “Në parim ekziston mundësia që të refuzohet një kandidat për kryeministër ku ka pengesa ligjore. Nëse marrim si shembull, nëse si kandidat shkon një gjyqtar apo ushtarak që nuk është liruar nga detyra, presidenti nuk ka si e dekreton atë si kryeministër.
Por në rastin e Edi Ramës, është thuajse e pamundur sepse ai është momentalisht kryeministër. Por edhe sikur presidenti të bllokojë qeverinë, kjo nuk do krijojë pengesa pasi Rama mund të vijojë të qeverisë me ministrat aktualë. Sipas ligjit qeveria rri në detyrë deri në shpalljen e qeverisë së re”, tha ai. Sipas juristit, vendimi i Kushtetueses mbi konfliktin për Gent Cakajn, i ka dhënë të drejtë presidentit që mund të refuzojë ministra. Nëse kryeministri i dërgon në tavolinë emra që për presidentin janë të papërshtatshëm, ai mund ti refuzojë.
Reagon Idajet Beqiri
Edhe avokat Idajet Beqiri shprehet se Kushtetua e detyron presidentin të dekretojë qeverinë e re dhe Ramën kryeministër. Avokati shprehet se neni 96 i Kushtetutës flet qartë. “Kushtetuta e Republikës, në pjesën e pestë të saj, në nenin 96, rregullon mënyrën se si bëhet emërimi i Kryeministrit.
Sipas nenit 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të Partisë ose të koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Nëse Partia Socialiste, si fituese e mandatit të tretë qeverisës propozon si Kryeministër Edi Ramën, alternativa e vetme e Presidentit të Republikës, (por e vetme dhe që as vihet në diskutim për çfarëdolloj arsye), është të emërojë si Kryeministër Edi Ramën” shprehet ai.
Sipas avokatit, nëse Meta e refuzon Ramën, atëherë duhet t’i nënshtrohet një testi psikiatrik. “Nëse Presidenti nuk e bënë këtë gjë, ose i nënshtrohet një kontrolli psikiatriko-ligjor dhe nëse del i sëmurë psikik, hiqet menjëherë nga President, ose nëse del i përgjegjshëm psiqikisht, arrestohet për shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës me pasoja të rënda për shtetin dhe emërimin e Kryeministrit e bën Presidenti i përkohshëm, i cili është kryetari i Kuvendit të Shqipërisë”, tha ai.