Denoncimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demorkatike i shkarkuar sipas “Foltores”, Gazment Bardhi se një koleg i tij brenda PD-së, ish-ministër në kohën e Sali Berishës po mban peng opozitën për shkak të një vile që ka në “Gjirin e Lalzit” me vlerë 760 mijë euro dhe që sipas tij, e ka nxjerrë në shitje, ka sjellë furtunë brenda opozitës.
Kjo vilë, është kthyer në “mollë sherri” në kampin demokrat dhe e gjithë pesha e rëndë bie mbi “Foltoren” pasi dyshohet se atë e posedon deputeti demokrat Flamur Noka, besniku i ish-kryeministrit Sali Berisha. Fakti të çon tek Noka, pasi ai ka qenë Ministër i Brendshëm në kohën kur Sali Berisha qeveriste.
Kjo ka sjellë që diskutimet për kandidatët për sekretar të Përgjithshëm, nënkryetarët apo edhe drejtuesin e Këshillit Kombëtar të marrin një kthesë tjetër. Ky skandal i ka hapur “telashe” deputetit, pasi ai përflitej si kandidatura kryesore që do të merrte postin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Kjo goditje që mori shumë pak ditë përpara 22 majit, ditë e miratuar nga “Foltorja” për të organizuar zgjedhjet brenda PD-së, i venit shpresat Flamur Nokës për të qenë numri 2 i selisë blu.
Sjellim në vëmendje, reagimin e deputetit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka bërë një postim thumbues për një nga kolegët e Partisë Demokratike për të cilin thekson se “është peng i Edi Ramës” për këtë vilë, e cila i është zbuluar si e pajustifikuar financiarisht. “Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo s’po ja ble askush? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama!!!”, shkroi pak ditë më parë Bardhi. /Elmas Bogdani
Ja çfarë pritet të ndodhë në 22 Maj
“Foltorja” ka vendosur që zgjedhjet për kryetar në Partinë Demokratike të mbahen më 22 maj. Sali Berisha dhe Ibsen Elezi, këta janë dy kandidatët e vetëm të cilët garojnë për postin e kryetarit të PD. Në kushte kur gara është e paracaktuar dhe dihet që kryefoltoristi nuk ka nevojë për konfirmim, kanë nisur diskutimet për kandidatët që do të marrin postin e nënkryetarit apo edhe drejtuesin e Këshillit Kombëtar.
Nga Komisioni i Rithemelimit bëjnë me dije se dy kandidaturat e tjera të mundshme përveç Flamur Nokës për sekretarin e Përgjithshëm janë Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi. Gjithashtu, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, është një tjetër kandidaturë potenciale që diskutohet brenda grupit për të kandiduar për numrin dy të selisë blu. Bylykbashi ka angazhim të hershëm në PD dhe ka përfaqësuar PD-në në disa reforma të rëndësishme.
Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike pritet që të zgjedhë edhe dy nënkryetarët e selisë blu, një prej tyre më pas do të jetë edhe kryetar i Grupit Parlamentar. Luçiano Boçi dhe Agron Shehaj mund të emërohen si kryetarë grupi.
Por, nuk duhet të anashkalojmë se partia më e madhe opozitare hyn në një tjetër labirint, teksa tashmë ka 2 Këshillë Kombëtarë dhe për më tepër ky këshill do të zgjedhë sekretariatin, Kryesinë e partisë, n/kryetarët dhe liderin e ri të partisë. Në këtë mënyrë, PD shkon drejt duplikimit të strukturave të saj duke avancuar akoma më shumë drejt ndarjes përfundimtare të partisë.
Edhe nga ana ligjore, drejtësia nuk ka dhënë ende fjalën e fundit për Kuvendin e 17 korrikut 2021, të 11 dhjetorit 2021 (e thirrur nga Berisha dhe Grupi i Rithemelimit të PD) të 18 dhjetorit 2021 (e thirrur nga Basha) dhe të 30 prillit 2022.