Nga Adriatik Doçi
Sali Berisha tenton uzurpimin e selisë së Partisë Demokratike me grupin e tij pas Kuvendit paralel, statutit dhe strukturave drejtuese paralele që ngriti në stadium të shtunën
Nëse i ashtuquajturi Kuvend Kombëtar i PD-së që u organizua nga Sali Berisha ditën e shtunë në stadiumin kombëtar nuk ka asnjë efekt juridik, duke mbetur thjeshtë një miting politik, përdorimi i paautorizuar i vulës dhe simboleve të Partisë Demokratike përbën vepër penale.
Kjo është edhe arsyeja se pse Partia Demokratike referoi sot në SPAK një grup prej 5 ish-funksionarësh pranë Berishës, për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve, parashikuar në nenet 190 paragrafi 2 dhe 25 i Kodit Penal.
Por, edhe pse ishte organizatori i Kuvendit të paligjshëm dhe jotransparent në arën e shqiptarëve, i ngritjes së strukturave paralele të PD-së dhe i përvetësimit të simboleve të partisë, Sali Berisha nuk ishte pjesë e kallëzimit të PD-së.
Dy ditë pas të ashtuquajturit Kuvend të PD-së, Sali Berisha, mesditën e sotme, tentoi pushtimin e selisë së Partisë Demokratike, duke thelluar më tej paligjshmërinë. Berisha hyri në seli si anëtar i PD-së, dhe sapo gjeti një zyrë të lirë, foli si kryetar i Partisë Demokratike. Pas tij në seli hyri edhe i ashtuquajturi ë Komisioni i Rithemelimit të PD-së, i sajuar nga Sali Berisha.
Për herë të parë në selinë e Partisë Demokratike kishte dy PD; PD-ja zyrtare me në krye Lulzim Bashën, PD-ja paralele e Berishës. Për herë të parë në selinë e PD-së kishte tre kryetar: Kryetarin zyrtar të Lulzim Bashën, Komisioni i Rithemelimit që Berisha i ka dhënë atributet e kryetarit deri në mars me statutin paralel që miratoi në Kuvendin e së shtunës, si dhe vetë Sali Berisha që foli sot në rolin e kryetarit.
E gjithë kjo situatë, krahas anës groteske, ka edhe aspektin penal. Neni 221 i Kodit Penal parashikon një dënim tepër të rëndë nga 15 deri në 25 vjet burg për personat që pushtojnë me forcë ndërtesat. Pushtimi i ndërtesave është element i veprës penale të kryengritjes.
Edhe pse Berisha, i vetëdijshëm për këto pasoja, u përpoq të tregohej si kujdesshëm dhe më pas u largua nga selia e PD-së, ngjarja e sotme kishte të gjitha elementet e pushtimit me forcë të selisë së Partisë Demokratike, duke provokuar një konfrontim fizik.
Edhe më grotesk ishte rasti i Belind Këlliçit, i cili denoncoi sot se i kishin thyer zyrën si kryetar i FRPD-së, në një kohë kur i ka mbaruar mandati prej dy vitesh dhe në kushtet kur ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion politik.
Teksa SPAK, prokuroria dhe policia vijojnë të qëndrojnë indiferentë, Sali Berisha sinjalizoi sot vijimin e përpjekjeve për zaptimin e PD-së, duke akuzuar Lulzim Bashën si uzurpues të selisë.(Shqiptarja.com)