Bashkia e Tropojës është më e prekur nga moti i keq me reshje shiu prej 24 orësh. Banorët e fshatit Bytyq u evakuan mbrëmë pasi rezervuari doli nga diga. Rrugët rurale dhe urat janë shkatërruar nga vërshimi i ujit. Po kështu mungon energjia elektrike në disa zona. Ndërsa në Kukës, Dibër e Burrel ka rrëshqitje të inerteve në akset
Për shkak të reshjeve intensive të shiut, në rrugët e qarkut të Kukësit ka prezencë të dherave e gurëve.
Situata më problematike është në akset Kukës-Shishtavec, Bajram Curri-Valbonë, Dushaj- Lekbibaj dhe Sopot-Tropojë. Siç shihet në pamje po punohet për largimin e inerteve, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes, pasi rrëshqitjet nga skarpatet e maleve janë të vazhdueshme.
Si pasojë e reshjeve me intensitet prej 24 orësh, përrenjtë malor kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në fshatrat e Tropojës. Rrugët rurale dhe urat të shkatërruar.
Situata është më problematikë në njësinë administrative Bytyq, ku banorët janë evakuuar mbrëmjen e së enjtes për shkak të rrezikut nga rezervuari.
“Jemi tek rezervuari i Vladit, grupi i punës po inspekton situatën e krijuar nga reshjet e papara që nga dje e deri më sot. Dëmet janë shumë të mëdha. Rezervuari ka dalë nga diga, njerëzit janë evakuuar. Ka dëme në ura dhe rrugë, komisionet janë në terren për evidentimin e dëmeve. Situata vazhdon të jetë e rënduar”, tha n/kryetari i bashkisë Tropojë, Kujtim Rexhaj.
Moti i keq ka dëmtuar dhe shtyllat elektrike. Per pasojë me qindra banorë janë pa energji në Bashkitë e Tropojës dhe Kukësit.
Në Rrugën e Arbrit është vështirësuar qarkullimi i automjeteve për shkak se në fshatin Shkallë bien dhera e baltë në asfalt. Rrëshqitjet vijnë si pasoje e ujerave nëntokësore, ndërsa kompania koncesionare po punon për pastrimin e rrugës.
Ndërsa në rrugën nacionale Burrel-Skuraj është shembur muri mbajtës pranë fshatit Shkopet, duke krijuar vështirësi në lëvizje. Rruga aktualisht e kalueshme me një sens për veturat, ndërsa policia ka bllokuar lëvizjen për mjetet e tonazhit të rëndë.