NGA DR. ELTON DEMOLLARI
Lübecku, një qytet me mbi 200.000 banorë, që ndodhet në veri të Gjermanisë pranë detit Balltik, u gdhi në një të premte të datës 6 mars të vitit 1981 i shokuar dhe i tronditur nga një vrasje (nga pakujdesia apo me paramendim???).
Një grua e tronditur dhe në një gjendje të rëndë psikologjike, e quajtur Marianne Bachmeier, qëlloi dhe vrau në vend vrasësin e dyshuar të vajzës së saj Anna në një sallë gjyqi, Klaus Graboëski. Shtatëvjeçarja Anna Bachmeier ishte, sipas kujtimeve të shokëve të saj, një fëmijë e lumtur dhe mëndjehapur. E donte shkollën dhe jetën dhe kishte thurur shumë ëndrra dhe dëshira për të ardhmen. Ajo u rrit me nënën e saj, e cila drejtonte një pijetore në Lübeck.
Me dijeninë e nënës së vet një të premte datë 5 maj 1980 nuk shkoi në shkollë, sepse ajo donte t`i bënte një vizitë shoqes së saj të ngushtë. Por ajo nuk mbërriti kurrë, sepse atë e rrëmbeu pa asnjë shkak kasapi Klaus Graboëski, një përdhunues me rekorde kriminale dhe një fytyrë shumë e njohur për policinë gjermane. Kasapi 35 vjeçar ishte dënuar edhe më parë për abuzim seksual me dy vajza të tjera të reja dhe ishte liruar më vonë. Graboëski e kishte mbajtur vajzën e gjorë për shumë orë në shtëpinë e tij dhe më pas e mbyti me geta.
Më vonë ai e kishte paketuar trupin e saj në një kuti dhe e kishte hedhur në një gropë buzë një kanali, ku e kishte mbuluar me dhe. Krim makabër! Por gjëja më shokuese është fakti, që ai ia tregoi me mburrje të dashurës së vet rastin në fjalë, e cila pa mëdyshje shkoi drejt e në polici dhe rrëfeu këtë krim monstruoz të të dashurit të saj.
Po zhvillohej seanca e tretë e gjykimit ndaj Klaus Graboëskit, kur Marianne Bachmeier, nëna e Anës, iu afrua përdhunuesit dhe vrasësit nga pas, nxori një pistoletë të markës Beretta me kalibër 22 mm nga xhepi i palltos së saj dhe shtiu pa kurrfarë hezitimi mbi të gjashtë herë. Ai vdiq në vend menjëherë.
Fjalët e saj menjëherë pas goditjes me armë ishin shumë domethënëse dhe kuptimplotë: “Doja ta qëlloja në fytyrë. Fatkeqësisht, e godita në shpinë. Shpresoj të ketë vdekur”. Problemi më i madh tani qëndronte, se si do të klasifikohej nga drejtësia gjermane ky rast, në një vrasje për hakmarrje apo në një vrasje të shkallës së dytë.
Dilemat para drejtësisë ishin shumë të mëdha, sepse edhe publiku dhe njerëzit u përfshinë shumë në këtë ngjarje tronditëse. Dy vjet më vonë, më 2 mars 1983, Marianne Bachmeier u dënua me gjashtë vjet burg për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Por ajo, që e bëri më të madhe rastin, është fakti, që akti i hakmarrjes së Marianne Bachmeier njihet ende sot si rasti më spektakolar i vetgjyqësisë në historinë gjermane të pasluftës.
Kjo çështje trazoi jetën publike të njerëzve dhe shkaktoi një publicitet të jashtëzakonshëm. Vendimi i gjykatës i ndau njerëzit më dysh. Një pjesë e mirë e opinionit publik shprehën dakordësinë e tyre për veprimin e kësaj nëne të plagosur në shpirt dhe nuk ishin dakord me dënimin e dhënë nga gjykata. Sepse edhe ajo ishte bashkëfajtore në krim, sepse ajo e kishte liruar përdhunuesin me vetëdije të plotë, megjithëse ai kishte ngacmuar dhe përdhunuar dy vajza të tjera.
Kjo pjesë e shoqërisë gjermane e shprehu hapur simpatinë e tyre për aktin e hakmarrjes të kryer nga Marianne Bachmeier. Ndërsa pjesa tjetër e vlerësuan dënimin e dhënë ndaj saj si të përshtatshëm për të mbrojtur shtetin e së drejtës përballë përdorimit të vetgjyqësisë ndaj akteve të drejtësisë. Nga ana tjetër shumë aluduan, se Marianne e kishte lënë dhe braktisur Annën e vogël dhe shprehën dyshime lidhur me faktin, se sa e besueshme ishte ajo dhe pikëllimi i saj.
Sa e çuditshme!!! Pse? – Sepse atëherë këta njerëz dyshues për të justifikuar një veprim të tillë shpikën lloj – lloj arsyesh, të cilat nuk qëndronin fare. Gjithsesi, vetgjyqësia fitoi mbi drejtësinë. Duke gjykuar rastin në fjalë, nxirret mendimi, që ajo lloj drejtësie dhe ai lloj gjyqësori vazhdojnë të ekzistojnë edhe tani.
Rastet flasin vetë dhe tregojnë realitetin lakuriq. Njerëzit sot ende nuk besojnë tek drejtësia dhe gjyqësori, tek ky pushtet shumë i fuqishëm. Por e thënë më shkoqur dhe më drejtpërsëdrejti njerëzit sot nuk duan ta besojnë atë, sepse vendimet e tij bien ndesh me realitetin e njerëzve. Kjo është çështja, të besojmë apo të mos besojmë tek drejtësia.
Por sa do të vazhdojë ky lloj mentaliteti edhe në të ardhmen? Çfarë duhet të ndryshojë në themel? Çfarë duhet të bëjnë njerëzit në të ardhmen? Prandaj unë prognozoj, që për sa kohë gjyqësori nuk do ta luajë rolin e tij si duhet në vazhdimësi, hakmarrja dhe vetgjyqësia njerëzore do të triumfojë gjithmonë mbi drejtësisë e vendimeve gjyqësore.
Prandaj rasti “Bachmeier” do të vazhdojë të mbetet kambanë alarmi për drejtësinë e së ardhmes. Ai duhet të jetë busull drejtimi për drejtësinë tonë të re.