Procesi i vetingut në vend po tregon se sistemi i drejtësisë ka qenë i zhytur në k.orrupsion nga koka te këmbët. Fakti që sot Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë pa anëtarë, është një tregues fare i qartë se dy gjykatat më të larta në vend kanë qenë të mbërthyera nga k.orrupsioni.
Por ajo që ka kaluar në heshtje këto kohë është se vetingu ka shpartalluar ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë edhe pse nuk ekziston më si organ, rezultatet e vetingut tregojnë se ata që emëronin gjyqtarët kanë qenë të përfshirë në afera, imagjino më pas gjyqtarët e thjeshtë.
Gazeta ka siguruar të dhënat e vetingut për ish-anëtarët e KLD në 10 vitet e fundit dhe rezulton që pjesa dërrmuese sot janë jashtë sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për anëtarët kur KLD drejtohej fillimisht nga Bujar Nishani dhe më pas nga Ilir Meta. Duhet theksuar se një pjesë e ish-anëtarëve nuk kanë hyrë në veting pasi bilanci pritet të jetë akoma dhe më i rëndë. Megjithatë, nga emrat që kanë hyrë në veting 10 janë shkarkuar ose janë dorëhequr dhe vetëm 3 janë konfirmuar në detyrë.
Emrat
Nëse i marrim me radhë, një emër mjaft i njohur është Xhezair Zaganjori. Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëherësh anëtar i KLD. Zaganjori e kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut, por çështja u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në fund u vendos shkarkimi i tij pasi u gjetën parregullsi me pasurinë. Bëhet fjalë për pasuri miliona eurosh e Zganjorit, e cila nuk është justifikuar.
Tjetër emër i njohur është Artan Broci. Ai u shkarkua nga detyra dhe pavarësisht se KPA gjeti disa parregullsi në vendimin e KPK e la atë në fuqi. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci u shkarkua me shumicë votash nga KPK më 31 korrik të 2018. Dy anëtaret e trupës, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja argumentuan se gjyqtari Artan Broci “nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” dhe se “kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia” për shkak të konfliktit të interesit.
Ndërkohë kemi dy emra të tjerë të cilët janë dorëhequr nga detyra. I pari është Astrit Haxhialushi. Ai dha dorëheqjen në tetor të vitit 2019. Për shkak të precedentëve të mëparshëm KPK vendosi që të ndërpresë vetingun për të. Ndërsa një emër tjetër i njohur që ka ndjekur rrugën e tij ditët e fundit është Gjin Gjoni. Ky i fundit ka qenë për shumë vite në KLD, por vendosi të japë dorëheqjen duke deklaruar se nuk ka besim te vetingu. Të gjithë këta emra kanë qenë në KLD kur ajo drejtohej nga Ilir Meta. Ndërkohë u konfirmuan në detyrë Brunilda Kadi dhe Ridvan Hado.
KLD e drejtuar nga Nishani
Një situatë e ngjashme është edhe me anëtarët e KLD gjatë kohës që në krye të saj ishte Bujar Nishani, ndër më të besuarit e ish-kryeministrit Berisha. Një emër që qëndroi pak kohë gjatë drejtimit të Nishanit ishte Shpresa Beçaj. Ajo u shkarkua pak ditë më parë sepse refuzoi të deklaronte pasurinë. Emër tjetër është Ilir Mustafaj.
Në korrik të 2019 ai u shkarkua nga detyra pas problemeve që ju gjetën me pasurinë. Po ashtu emër tjetër është Dhurata Haveri, po e shkarkuar, ndërsa Besnik Imeraj është dorëhequr. Nuk duhet harruar dhe Shkëlqim Miri, i cili është dënuar me burg për k.orrupsion. I vemi i konfirmuar është Dritan Hallunaj.
Nëse shohim shifrat e KPK rezulton se institucionet më të prekura nga vetingu janë ato që qëndrojnë në majën e piramidës së sistemit gjyqësor. Edhe pse presupozohej që KLD të ishte institucioni që duhet të kontrollonte gjyqësori, vetingu tregon se ka qenë më keq se gjyqtarët e prokurorët.