Procesi i vetingut vijon të “godasë” të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me probleme. Teksa seancat dëgjimore tashmë janë më të shpeshta, edhe numri i njerëzve të drejtësisë të shkarkuar po rritet çdo ditë e më shumë. Ditën e djeshme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkonte prokurorin e rrethit Tiranë, Arben Nela, i cili gjithashtu kandidonte për tu bërë anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupa gjyqësore deklaroi dje se Arben Nela nuk ka kryer deklarime të sakta të pasurisë dhe për këtë arsye nuk e kalon dot procesin e vetingut. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në 18 korrik, KPK renditi të gjitha gjetjet e saj për subjektin, ku ndër të tjera u shpreh se Arben Nela zotëron 3 apartamente dhe një shumë parash rreth 12 mijë euro, të cilat nuk i justifikonte dot. Pas dhënies së vendimit, prokurori i Tiranës, Arben Nela shpërtheu në akuza kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke deklaruar se ky komision funksionon me standarde të dyfishta. Pavarësisht këtyre akuzave, KPK e vijoi punën e saj duke vendosur edhe për një tjetër shkarkim. Po dje, komisioni i vetingut vendosi që si Arben Nela, ashtu edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Ervin Metalla të mos rikonfirmohej në detyrë, duke u përjashtuar kështu për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Edhe Metalla doli para trupës gjykuese për të dhënë llogari për pasurinë dhe punën e tij në datën 18 korrik, ku KPK konstatoi se ai kishte kryer një seri transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, që financohet nga buxheti i shtetit.
Dvorani dhe Faqolli
Dy seanca të tjera dëgjimore u zhvilluan ditën e djeshme, ku përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dolën gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli dhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Astrit Faqolli, i cili është edhe kandidat për KLGJ, u përball me trupën gjykuese në orën 09:00 për tu ballafaquar me gjetjet e komisionit, por sipas të gjitha gjasave ai është drejt shkarkimit nga detyra. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kishte sjellë raport pozitiv për të. Mirëpo nga hetimi i pavarur i KPK ka rezultuar se Faqolli ka probleme me pasurinë. Pasuria e tij përbëhej nga një truall 32 m2 në Librazhd mbi të cilin në vitin 2011 është ndërtuar një bodrum, banesë dhe lokal dhe një apartament me sipërfaqe 93.4 m2 në Tiranë. KPK konstatoi mospërputhje midis deklaratës veting të gjyqtarit dhe deklaratave vjetore periodike në ILDKPKI për sa i përket blerjes së apartamentit në Tiranës dhe investimit në truallin prej 32 m2 në Librazhd. Në deklaratën e veting, gjyqtari ka deklaruar se apartamenti në Tiranë është blerë nga të ardhurat ndër vite, ndërsa në deklaratën vjetore të vitit 2006 ka deklaruar se ka marrë një hua 10.000 euro. Por teksa pritet që Faqolli të shkarkohet nga detyra, duket se gjyqtari i Lartë Ardian Dvorani nuk do të ketë të njëjtin fat. Edhe pse ILDKP në raportin e saj kishte konstatuar se deklarimi i pasurisë nuk është i saktë dhe se ka kryer fshehje pasurie, Dvorani mund të rikonfirmohet në detyrë. Ai dispononte si pasuri një apartament 120 metra katrorë në Tiranë me vlerë 34.440 dollarë të blerë në vitin 2001 nga kompania Albtelekom, në atë kohë nën pronësi publike. Po ashtu, ai vetë dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar pronësinë e pjesëve të dy apartamenteve të privatizuara nga familjet përkatëse në fillim të viteve 1990. Dvorani zotëron gjithashtu një makinë “Skoda Octavia”, të cilën e ka blerë me kontratë kredie leasing. Sipas KPK, për të gjitha këto pasuri, nuk ka pasur pasaktësi në deklarime. E vetmja pikë problematike e Ardian Dvoranit ishte mosdeklarimi i likuiditeteve në llogaritë bankare të tij dhe familjarëve të tij. Trupa gjykuese u shpreh dje se gjyqtari nuk ka deklaruar në deklaratën “veting” shumën e likuiditeve prej 9.9 milionë lekësh, ndërsa kjo shumë është deklaruar në deklaratat e përvitshme të ILDKP. Dvorani sqaroi se mosdeklarimi i shumës në deklaratën “veting” ka qenë pasaktësi dhe jo fshehje pasurie. /Mimoza Ibra