“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”.
Dhe si për ta ilustruar këtë, vetëm pak orë më parë, ndonëse ishte dorëhequr nga kandidimi për në Gjykatën Kushtetuese dhe ndaj tij ishte ndërprerë vetting-u, ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Ymeraj do të duhet të përballet me ligjin në Prokurorinë e Përgjithshme për njërën nga këto 2 vepra penale: ose korrupsion, ose shpërdorim detyre, të cilat nuk amnistohen, pavarësisht se ai është tërhequr nga sistemi i drejtësisë. Një gong ky edhe për ish- prokurorin Llalla, i cili nëse rezulton se ka konsumuar njërën nga këto dy vepra penale do të duhet të shkojë në Prokurorinë e Përgjithshme që të japë shpjegime, në institucionin të cilin ai e drejtoi për 5 vite me rradhë, duke shënuar rekorde skandalesh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.
Duket se tashmë po ndihet dhe pesha reale e vetting-ut, i cili deri tani ka ngrënë dy koka në nivele të larta: i pari ishte komisioneri Heral Saraçi i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, më pas rradhën e ka pasur ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese Ymeraj i cili do te ndiqet penalisht, ndërsa pritet që pesha e ligjit të bie edhe mbi ata të cilët kanë menduar se duke u tërhequr nga vetting-u, do të mund të shpëtojnë për shkeljet e rënda të ligjit që kanë bërë nëpërmjet akteve korruptive dhe të shpërdorimit të detyrës. Beteja sapo ka nisur!