Janë përzgjedhur 30 komisionerët që do të kryejnë Vettingun në Policinë e Shtetit.
Ka përfunduar gara dhe aktualisht janë 5 komisionerë të Vlerësimit të Jashtëm të Përzgjedhur, 15 anëtarë të sekretariatit teknikë, 5 anëtarë të përzgjedhur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe 5 përfaqësues nga bota akademike nga Universiteti i Tiranës.
Burime nga bordi i përzgjedhjes ku bëjnë pjesë Ministria e Brendshme, Avokati i Popullit, Shërbimi informativ Shtetëror, Komisioneri i Diskriminimit dhe Komisioneri i të Dhënave Personale kanë përfunduar filtrin e kandidatëve duke miratuar 2 ditë më parë listën me 30 përfaqësues.
Aktualisht pritet vetëm formalizimi i tyre që do të ndodhë javën e ardhshme dhe menjëherë atë do të nisin nga puna duke kaluar fillimisht në filtrin e Vettingut policët me grada të larta ku bëjnë pjesë kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe 12 drejtorët e qarqeve.
30 të përzgjedhurit do të kalojnë në filtër të gjitha deklaratat e dorëzuara nga uniformat blu dhe pas gjetjeve për secilin polic do të bëhet më pas seanca dëgjimore dhe marrja e vendimit.
Kontrolli i efektivëve të policisë do të bëhet duke kërkuar informacion nga Tatimet, Hipotekat, Operatori Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, bankat, zyrat e këmbimit valutor, gjykatat, prokuroria si dhe jashtë vendit për rastet ku do të ketë indicie për të shkuar në kundërshtim me ligjin jashtë vendit. Me dëshirën e tyre para nisjes së dorëzimit të formularëve të Vettingut nga radhët e policisë u larguan mbi 200 efektivë dhe një numër prej 10 drejtuesish policie. (Shqiptarja.com)