Nga Denis Dyrnjaja
Kjo është njëra anë e medaljes dhe vetëm gjysma e procesit pasi çdo gjyqtar, prokuror apo njeri i kamur padrejtesisht, paligjshmërisht dhe abuzivisht me anë të detyrës përveç se nuk duhet të jetë më pjesë e drejtësisë qoftë dhe për një orë më shumë, duhet të përballet me sanksione ligjore sekuestroje të një pasurimi të pamerituar dhe të korruptuar e të shkojë pasi hekurave si një hajdut ordiner që ka përfituar mbi njerëz hallexhinj.
A ka çlirim një person të cilit një gjyqtar a një prokuror përkundrejt ryshfetit i ka shkatërruar jetën duke i tjetërsuar të drejtën e pronës, fatin e jetës apo duke parë të lirë vrasësin e fëmijës së vet që ka futur në dhe?! Jo! Të jetosh me pasuri të vendosura mbi gjakun, djersën dhe jetën e njerëzve është totalisht kriminale.
Ndaj çdo gjyqtar e prokuror i korruptuar nuk mjafton thjeshtë të nxirret nga sistemi i drejtësisë, por duhet edhe të përballet me pasojat e ligjit për përfitime të paligjshme. Është fyese, është denigruese dhe poshtëruese që njerëz të ndershëm kalojnë një jetë duke punuar ndershmërisht dhe mezi krijojnë mundësitë bazike për të mbajtur familjet e rritur fëmijët, ndërsa “piranjat” e drejtësisë së pistë shqiptare të kenë vënë pasuri përrallore të pamerituar e kapërdisen me vila, apartamente, makina superluksoze në kryeqytet e bregdet.
Pa ekuivok dhe pa më të voglën keqardhje sekuestro dhe burg për çdo lëtyrë që tenton të justifikojë dhe fshehë pasurimin kriminal dhe të pamerituar. Kështu do të krijohet besimi në popull se një ditë e vërteta del dhe se një ditë harramin do ta paguash.