Opera madhështore e Giuseppe Verdit “Aida”, ngjiti mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, një kastë artistësh nga më të njohurit në Europë, së bashku me artistët virtuozë shqiptarë, duke i dhuruar publikut shqiptar emocione të papëshkrueshme.
Kjo vepër ikonike e repertorit operistik botëror, solli plot emocione në publik, me interpretimet e solistëve, korit, orkestrës dhe balerinëve të TKOBAP-së, emra të tillë si italiania nga Kalabria Maria Teresa Leva, portugezi Carlos Cardoso, gjeorgjiania Tamta Tareashvili bashkë me artistë shqiptarë të nivelit të lartë artistik si Armando Likaj apo Bledar Domi, Xhieldo Hyseni, Dorina Selimaj, etj.
Me një produksion mbresëlënës nga Franco Zeffirelli, kjo shfaqje u prit me duartrokitje të zjarrta nga artdashësit.
“AIDA” e Giuseppe Verdit, është një kryevepër monumentale e repertorit operistik botëror, e cila u prezantua magjishëm përmes interpretimit të Orkestrës Simfonike, Solistëve dhe Korit të TKOBAP-së nën drejtimin e Dirigjentit Spanjoll Maestro Sergio Alapont si dhe maestro Dritan Lumshi.
“AIDA” është ngjarje artistike e jashtëzakonshme e mishëruar në një përvojë unike e rrallë për nivelin e saj të lartë artistik, duke e kthyer Teatrin e Operas dhe Baletit tashmë i rikonstruktuar, si një arenë vlerash të vërteta dinjitoze me teatrot e tjerë në Europë.