Franca fitoi 3-1 me Poloninë duke marrë një biletë për në fazën çerekfinale të Kupës së Botës. Dopieta e Mbappe dhe goli i Giroud i dhanë të drejtë djemve të Deschamps të kalojnë më tej në Botërorin e Katarit, teksa Polonia mund të ngushëllohet me golin e Lewandowskit në fundin e takimit nga pika e bardhë e penalltisë. Tanimë Franca luan me Anglinë në çerekfinalet e Botërorit.
Dueli në “Al Thumama Stadium” të Dohas nisi mirë për Gjelat, që për disa minuta u ngacmuan nga polakët por pa mundur që Lewandowski me shokë të shënonin. Kur pritej fundi i pjesës së parë, Giroud në minutën e 44 kaloi “Gjelat” në avantazh.
Pjesa e dytë do vijonte me të njëjtën melodi, teksa Mbappe në të 74 dhe në të 90+1 dërgoi shifrat në 3-0. Në fundin e ndeshjes, pikërisht në minutën e nëntë shtesë Lewandowski shënoi nga pika e bardhë e penalltisë pas tentativës së dytë, pasi më herët Lloris e ndali polakun por për arbitrin gardiani i Francës lëvizi nga vija.
Polonia i jep lamtumirën kompeticionit, ndërsa te Franca vijojnë të thyejnë rekorde. Hugo Lloris bëhet lojtari me më shumë paraqitje për “Gjelat”, plot 142, me 35 vjeçarin që lë pas Lillian Thuram. Giroud nga ana tjetër me 52 gola lë pas Henry, teksa ka shënuar më shumë gola te Franca në histori. Mbappe me dopietë shkon në kuotëm e nëntë golave në Botërorë, duke qenë i pari lojtar me këtë shifër para moshës 24 vjeç, teksa lë pas Pele, James Rodriguez dhe Muller.
Ndërsa Anglia fitoi 3-0 me Senegalin në 1/8 e Kupës së Botës, duke marrë një biletë për në çerekfinale. Skuadra e Southgate do luajë në Francën në fazën që vjen, në një duel që pritet me interes për vetë formën e skuadrave. “Tre Luanët” e Anglisë sfidojnë kampionët e botës në fuqi, me ndeshjen që shihet si një finale e parakohshme.
Në ndeshjen kundër Senegalit, Anglia nuk e vendosi asnjëherë në diskutim fitoren. Ishullorët gjetën golin e parë në minutën e 39 të ndeshjes me Henderson pas asistit të Bellingham. Ndërkohë që skuadrat i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, kundërsulmi i anglezëve solli golin e Kane pas asistit të Foden, me Anglinë që mbylli llogaritë e ndeshjes.
Pjesa e dytë ishte totalisht nën kontrollin e Anglisë, që shënoi me Saka në minutën e 57, me Foden që asistoi për të dytën herë në këtë duel. Kështu, në çerekfinale anglezët luajnë me Francën në 10 dhjetor. Pas Holandë – Argjentinë, kjo është çerekfinalja e dytë që mësohet në këtë Botëror.