53-vjeçari shqiptar Arjanit Rizaj (Arjan Rizaj) është vrarë me armë zjarri para spitalit “Luis Vernaza” ditën e sotme në Guayaquil të Ekuadorit, ku kishte shoqëruar bashkëshorten e tij dhe vetë po qëndronte brenda makinës së parkuar.
Viktima ka marrë të paktën 9 goditje plumbash nga një armë zjarri e kalibrit 9 milimetra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30.
Banorët dhe disa shitës të zonës që panë ngjarjen nga afër deklaruan për policinë se në drejtim të shqiptarit u qëlluar nga një motoçikletë e bardhë me të cilën po lëviznin dy persona. Autorët u larguan në drejtim të paditur pasi kryen vrasjen.
Bashkëshortja e 53-vjeçarit shqiptar ka deklaruar për hetuesit se ajo e pa skenën nga shumë pranë.
Ajo u tha oficerëve se nuk e dinte motivin e sulmit ndaj bashkëshortit të saj. Sipas saj, Rizaj nuk punonte pasi nuk kishte dokumente të vlefshme në Ekuador, prandaj mbijetonte me paratë që i dërgonte nga Shqipëria familja e tij, ose vëllai i tij që banonte në Kanada.