Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një komentuesi që e kritikoi për marrjen e medaljes presidenciale nga Izraeli, duke theksuar se ky vlerësim i është dhënë popullit shqiptar për ndihmën që i ka dhënë hebrenjve gjatë historisë.
“Mora një medalje nderimi në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që ishte e merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e vonuar. Për këtë humba shumë? Sa i përket atyre që e lidhin këtë me qëndrimin ndaj situatës në Gaza, do thuash thosha t’i referohen qëndrimet publike të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara ku kemi qëndruar në vijimësi në të njëjtën linjë me BE, ku kemi kërkuar armëpushimin shumë e shumë herë dhe kohë përpara se të ndodhte”, tha Rama.
Kryeministri përsëriti se Shqipëria e ka treguar me qëndrimet e vazhdueshme në Kombet e Bashkuara se mbështet armëpushim dhe zgjidhjen me dy shtete dhe njohjen e Palestinës.
“E dyta, t’i referohem qëndrimeve të vazhdueshme për domosdoshmërinë e pranimit të zgjidhjes me dy shtete dhe njohjen e shtetit të Palestinës dhe t’i referohen fakteve jo emocioneve të pakuptimta në këtë rast, sepse është vlerësim për popullin shqiptar dhe të gjithë ata që i dhanë mësim Evropës dhe botës në një moment dramatik, ishin shqiptar që pa dallim fetar, u bënë mburojë e hebrenjve.
Një mësim në histori që askush nuk duhet ta harrojë. Sa i përket shkulmave dhe mllefeve në emër të besimit të gjithë atyre që i kanë dhe vuajnë nga këto, u sugjeroj të lexojnë më shumë profetin. Unë personalisht i referohem herë pas here librave të shenjtë. Se janë burim i jashtëzakonshëm lehtësimi dhe ushqimi i vetëpërmbajtjes”, u shpreh Rama.