Dosja me 500 faqe diskutohet në Report TV nga kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani dhe gazetari Anri Bala. Shprehin besimin se drejtësia nuk ka mbaruar ende punë me Sali Berishën dhe se do i nxjerrin edhe çështje të tjera si 21 Janari. Shabani kujton: Unë si tirans autokton s’i kam marrë kurrë pronat, Berisha nga Viçidoli vjen dhe i merr si ish-pronar fal pushtetit që ka pasur
INTERVISTA E PLOTE
Një tjetër tematikë interesante në emisionin “Studio Live” të Report TV, ka qenë edhe çështja e skandalit me dosjen “Partizani”, për të cilën SPAK ka marrë aktualisht të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërtuesit Fatmir Bektashi për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash” dhe Xhimi Begeja, ortakë të Malltezit, për “pastrim parash”.
Teksa diskutoheshin detaje nga materiali me 500 faqe ku faktohen shkeljet ligjore, përfitimet urbanistike dhe financiare ndër vite, duke ndërtuar 19 kulla te ambientet sportive të ish-Klubit Partizani, gazetari Anri Bala vuri në dukje një nga detajet më pikante të dosjes, ku duke përmendur pasuritë e blera në disa shtete jashtë Shqipërisë, kryesisht apartamente nga Jamarbër Malltezi, rezultonte se Argita Malltezi (Berisha) nuk kishte dijeni për pronat e bashkëshortit të saj.
“Arbër Malltezi ka mashtruar jo vetëm autoritetet, por edhe bashkëshorten e tij, që s’ka qenë në dijeni të apartamenteve të tij”, tha Bala. Kujtoi apartamente si në Hungari, Belgjikë, Holandë etj.
Ai kujtoi se me paratë e këtij korrupsioni të bërë ndër vite, ata po pastrojnë imazhin me studio ligjore në Angli ose në vende të tjera me kompani lobingu, për të hequr njollën “non grata”, duke u paguar qindra mijëra euro.
Si rasti më i fundit me studion ligjore në Londër, ku u paguan 460 mijë euro.
“Ata u shpallën non grata pikërisht për këto. Pasuritë, pikturat, ndërtimet e kullave, pasuritë, Heceve, shtëpive të padeklaruara edhe në ILDKPI etj. Ose rasti 460 mijë euro të studios ligjore, që të hiqte njollën e Sali Berishës. Lekët e korrupsionit i kanë përdorur për të larë imazhin e tyre. Këto dihen, por nuk dimë lobingjet e tjera dhe paratë e padeklaruara”, tha Bala.
Ai kujtoi se “zoti Berisha nuk do bëjë burg për shkak të moshës, por rrezikon Jamarbër Malltezi”. Kurse sulmet që bën berisha ndaj SPAK i cilësoi si një strategji e gabuar dhe e humbur.
“Është luftë e humbur e tij në këtë kohë ku jemi, viti 2024, me këtë raport me drejtësinë të ngrihesh e të sulmosh drejtësinë. Berisha dhe të tjerët duhet të ulin kokën dhe me bisht poshtë, të falënderojnë për kaq në këtë pikë, se i kanë bërë nder deri në këtë pikë, për medimin tim. Se ka të tjera si 21 Janari”, tha Bala.
Por ai shtoi se “është besimplotë se do ketë akuza te tjera ndaj tij, nëse Berisha vijon me sulme ndaj drejtësisë”. Kurse për kërcënimet ndaj SPAK, Bala tha se “asnjë s’bie martir për zotin Berisha se ka vjedhur, nuk bien dëshmor as për Berishën dhe as për Ramën, Metën apo Ramën. Berisha ka hallin e tij dhe të familjes!”.