Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbrëmjen e së enjtes një takim me intelektualët e Tiranës.
Gjatë takimit Berisha tha se kur ai ka ardhur për herë të parë në kryeqytet në vitin 1958, Tirana ishte një qytet që kishte dimension njerëzor, për që më pas u shkatërrua dhe u rrafshua.
“Tirana është një qytet realiteti, ëndërre, sepse çdo fëmijë që lind në këtë vend, rritet, ëndërrat më të bukura ai i vendos në Tiranë. Është ëndërr sepse, kombi në rrugën e zhvillimit të tij, projektet më kryesore, ëndërrat më të rëndësishme të ditës, lindin, formësohen në Tiranë. Është truri dhe zemra e kombit.
Tirana është qytet në historinë e vet. Në histori, dimensioni më i spikatur i këtij qyteti ka qenë ai njerëzor. Një përshkrim që i bën Johanes Hahn, 108 vite më parë e përshkruan, qytet me 2 mijë shtëpi, rrugë të drejta, i pastër, në të cilin nuk ka të varfër, thotë. Është e rrallë të gjesh një përshkrim të tillë, për një qytet. Në Tiranë nuk ka të varfër, gratë bëjnë pazarin. Pra, të gjitha këto janë dimensione të një qyteti njerëzor. Tirana i ruajti këto, do të evoluonte, do të shprehte edhe fuqinë dhe mendimin e kohës.
Tirana që unë kam gjetur në vitin 1958, sërish dimension kryesor kishte atë njerëzor. Në tërësinë e saj, qyteti ishte i organizuar, gjithçka në shërbim të njeriut. Pazari i vjetër i Tiranës ishte një univers i vërtetë shërbimesh të shumëllojta. Natyrisht dominonte me zell, tradita. U rrafshua dhe u ndërtua një shëmtirë arkitekturore, Pallati i Kulturës.
Tirana kishte të gjitha llojet e ndërtimeve të kohës. Ndërtime imperiale, të projektuara nga arkitektë të epokës së ngritjes së Italisë në rang perandorie. Vila luksoze nga më të bukurat. Banesat e saj tradicionale, rrugicat, rrugët. Thashë edhe njëherë, mbetej një qytet thellësisht njerëzor. Natyrisht të tillë e bënin njerëzit e vet, njerëz fisnikë që kishin ndërtuar qytetin dhe jetën e tij.
Epoka e socializmit fshiu disa nga pjesët më të gjalla. Shpesh kur kujtoj Pazarin e vjetër më kujtohet lagjia e haresë së Parisit, lagjia më e gëzuar, të cilën një urë e ndan nga Notre Dame, por është me rrugica të pashtruara, me qerpiçe dhe është pjesa me gjallërinë më të gjallë të Parisit”, tha Berisha.
Per te pare se cfare beri “arkitekti” i kioskezimit te Tiranes dhe gjithe Shqiperise Sali Berisha ne qeverisjen e pare, njihuni me Tiranën e viteve 1994- 1995, një kryeqytet i shpërfytyruar, dëshmi e një krize të thellë identeti, intelektualiteti e qeverisje të dobishme. Një Tiranë xhungël e atyre viteve që për fat të mirë sot nuk egziston. Ndiqni për më shumë filime bruto të paretushuara të atij realiteti ngjethës.