Italia fitoi 2-0 kundër Irlandës së Veriut, ndërsa Bosnjë Hercegovina kaloi pas 120 minutave lojë dhe penalltive Uellsin, çka do të thotë se dy skuadrat do diskutojnë një vend për në grupet e Kupës së Botës 2026. Italia nuk ka marrë pjesë në dy Botërorët e fundit, çka bën që ndeshja e të martës në Sarajevë të ketë interes të madh.
Mirëpo, fill pas ndeshjes që të ‘Kaltrit’ fituan në Bergamo kanë nisur polemikat. Italianët dinë si të jenë në qendër të vëmendjes dhe këtë e kanë bërë pa vetëdije. Futbollistët e Gattuson ndoqën fundin dramatik të sfidës Uells – Bosnjë dhe Hercegovinë, duke bërë tifo dukshëm për ekipin e Dzekos me shokë.
Diçka e tillë ka sjellë reagime të forta në rrjetet sociale, ku flitet për mungesë respekti. Videoja është bërë virale brenda pak minutash dhe ka shkaktuar zemërim të thellë te lojtarët, stafi dhe tifozët e Bosnjë Hercegovinës. Kamerat e ‘Rai-t’ kanë kapur disa lojtarë të Italisë, konkretisht Dimarco, Pio Esposito, Vicario, Meret dhe Tonali, të cilët po festonin pas kualifikimit me penallti të boshnjakëve ndaj Uellsit.
Italianët sapo kishin mundur Irlandën e Veriut dhe po studionin kundërshtarin e së martës. Regjia kapi edhe një reagim të Tonali pas një gabimi të Bosnjës në kohën shtesë. Në momentin e fitores së ballkanasve, lojtarët e Italisë u panë të bënin disa festime pa vend. Dhe rrjetet sociale i kanë kryqëzuar menjëherë.
Pamjet u komentuan edhe nga Daniele Adani, zëri i dytë në komentin e ndeshjes së Italisë me Irlandën e Veriut, duke krijuar jo pak siklet edhe në transmetim direkt. “Duhet të festoni të martën, jo sot”, tha Adani.
Për këtë kanë reaguar edhe në Bosnjë Hercegovinë, duke e quajtur situatën si ‘arrogante’, ndërsa premtojnë se do e ‘mbajnë në mendje’ për ndeshjen teke të të martës në Sarajevë.
Look at this disrespect and arrogance by Italy. They were already celebrating after we won penalties. We will take this to account in Zenica!pic.twitter.com/P8DCNvpb39
— Bosnian Football (@BosniaNTBall) March 27, 2026





