Sezoni nuk mund të niste më mirë për Nedim Bajramin. Mesfushori i cili pret lejen nga FIFA për të veshur fanellën kuqezi, ka tundur rrjetën që në ndeshjen e parë zyrtare, në Kupën e Italisë.
Bajramit i janë dashur vetëm 10 minuta në fushën e lojës me fanellën e Empolit, ndaj Viçencës, që të gjente rrugën e rrjetës. Ai goditi saktësisht në hyrje të zonës duke mos i lënë kohën të reagonte portierit kundërshtar, që t’i dhuronte skuadrës së tij avantazhin 1-0 për t’ia bërë më të thjeshtë takimin.
Një gol i përshëndetur edhe nga futbollisti tjetër kuqezi i Empolit, Ardian Ismajli, i cili iu bashkua pak ditë më parë kësaj skuadra por e sheh veten menjëherë titullar në skemat e trajnerit Andreacoli.
Bajrami pret prej disa muajsh lejen nga FIFA për të veshur fanellën kuqezi. Kjo e fundit i ka refuzuar kërkesën FSHF-së e për këtë arsye, palët do të kenë një gjyq në KAS të Lozanës më datë 24 gusht. Trajneri Reja ka insistuar për afrimin e Bajramit, pasi e sheh atë si një lojtar i cili do të zgjidhë problemin e mungesës së një organizatori të mirëfilltë në rreshtimin e kuqezinjve.