Albert Veliu, 51- vjeçari i prezantuar nga Lulzim Basha si “Dëshmitari X”, thotë se është i papunë, por vetëm një muaj më parë protestonte në Vlorë si biznesmen, në dëshminë e tij ka disa non-sense, që vështirë se mund të shpjegohen logjikisht.
Veliu u shfaq në audiopërgjimin e PD, ku ka bërë një intervistë rrëfyese pa asnjë sens, tek thotë se regjistrimin nuk i ka bërë ai, por e ka bërë vetë Agroni, vëllai i ministrit Xhafaj.
Duke këmbëngulur në autenticitetin e videos, X-i thotë se zërat janë ato që dëgjohen: “është dhe zëri i Ermalit dhe zëri i Altinit”. “Zëri i atij, thonë zëri im, zëri i Ermalit dhe zëri i Altinit… tani po ka ndonjë zë tjetër mund të jetë zëri i plakut tim në varreza, tani nuk e di mos është ngjall plaku im”.
Në fillim të dëshmisë së tij, ai thotë se kur ranë burg, Agron Xhafaj i ktheu kurrizin: “Punonim bashkë. Nuk më solli asnjë paketë cigare si shok, për aq vjet që njiheshim bashkë”, thotë ai.
Por në mënyrë të çuditshme, sapo ai doli nga burgu, Agron Xhafaj, sipas tij, i ofroi punë për të birin. Nga një njeri që e kishte bërë “hasha”, Agron Xhafaj papritur ishte bërë zemërbutë për Veliun.
Dhe për më tepër, pasi kishin vite që kishin shkëputur marrëdhëniet, Agron Xhafaj ishte gati që ta ndihmonte atë të dërgonte hashash në Itali! Skafisti, në çdo moment të intervistës, përsërit se nuk kishte ndërmend që të bënte vërtet rrugën drejt Italisë, por e gjitha ishte një provë, që kishte dashur t’i bënte Agron Xhafajt.
Pra, 51-vjeçari skafist na del aq i zgjuar, sa do t’i bënte një rreng Agron Xhafajt! Por X-i është aq i “zgjuar” sa ja ka mbushur mendjen Agron Xhafaj, të regjistronte veten e tij: “Video-përgjimi është bërë nga vetë Agron Xhafaj”, tha ai
“Shkoj te im bir, i kishte thënë shoku i Agronit pronarit të djalit: Shiko se babai jot është bërë figurë e njohur në Vlorë! Vete shikoj ato që shikoj, se nuk marr vesh nga këto telefonat, më thanë “është zëri jot”, pronari i djalit.
Ia kishte thënë shoku i ngushtë, i imi dhe i Agronit, “është zëri i Babales”. I kishte thënë Agroni që t’i bëni presion Babales”. Tani nuk kuptohet përse Agron Xhafaj duhet t’i bënte presion Veliut, kur vetë ky i fundit kishte shkuar për t’i kërkuar ndihmë atij!
Dhe përse Agron Xhafaj duhej të përgjonte veten e vet. Pra, nuk ka asnjë logjikë që të bind, se kjo është e vërtetë.
Agron Xhafaj, që sipas tij komandon gjithë Vlorën, paska qenë në fakt aq naiv sipas këtij skafistit, sa të përgjonte dhe filmonte veten, për pisllëqet që bënte!/Ekskluzive.al