Nga Adriatik Doçi
Në mars të këtij viti, segmente të krimit dhe korrupsionit nisën një sulm të koordinuar kundër meje, me qëllim shantazhi për të më mbyllur gojën dhe ulur reputacionin.
U përdor një Almë mediatike, u qepën copëza bisedash në kafe dhe u fabrikua një adio-përgjim alla babale.
Disa muaj para këtij marifeti, një delegat i krimit të organizuar më goditi nga pas dhe ia mbathi.
(Ky revansh dhune dhe çimkash erdhi pas disa kallëzimeve penale që kam bërë, kallëzime që janë kthyer dhe po kthehen në akuza nga SPAK, por edhe pas denoncimit të vjedhjes së parave dhe pasurive publike me tendera, koncensione, offshore etj).
Arsyeja se pse goditjen fizike e kam harruar dhe audio-bablen jo, ka të bëjë me faktin se në rastin e dytë, fatkeqësisht, u përdorën gazetarë dhe disa media kundër meje.
Thithlopët e gjobave, tarifave, të vilave në Gjirin e Lalzit, Palasë e Farkë, të kullave, fabrikave dhe pastrimit të parave, dolën si virgjëresha në dritaren e shtëpisë publike, duke treguar me gisht ‘gjobaxhiun’.
‘Investigimin’ e financuar gjoja nga USAID e mori përsipër njëfarë gazetari Naim Noka, i cili i kushtoi edhe një editorial moralist në portalin e tij publik.live.
Në dispozicion të tij u vendosën CNA-ja i Elvi Fundos dhe Syri Tv, dy media që edhe fjalët i bëjnë pis, si dhe disa mushkonja mediatike.
Naim Noka doli edhe në banakun e Syri Tv, (hera e parë që nxirrte kokën në TV), duke rrahur gjoksin për ‘investigimin’ dhe shpjeguar atë, duke implikuar edhe USAID në lojën e krimit dhe korrupsionit kundër meje.
(Syri Net është thesi i gjobave të Sali dhe Shkëlzen Berishës, një mender media nongrata, simbol i pastrimit të parave të pista, parashikimit të tërmeteve, mashtrimit dhe frikës nga drejtësia).
Nuk e di se sa janë paguar dhe as nuk dua ta di, por përdorimi i medias kundër medias, i gazetarit kundër gazetarit nga krimi dhe korrupsioni, tashmë është një fakt.
Dihet se unë nuk jam shantazhuar kurrë, nuk shantazhohem dhe nuk ka burrë nëne që më shantazhon.
Por, sot dua t’ju tregoj me zë dhe figurë se kush është në të vërtetë Naim Noka, i cili pretendoi se ishte autori i ‘investigimit’ ndaj meje.
Ky material me elemente penale nuk është një kthim restoje për Naim Nokën, i cili për mua është thjeshtë një i paburrë, një matrapaz i vogël mejhanesh, një sharlatan dhe pupac i krimit dhe korrupsionit, siç e pranon edhe vetë në 18 orë përgjime me zë dhe figurë.
Ky material është përpjekje për të ndihmuar publikun që të dallojë gazetarët e vërtetë nga zagarët e klaneve të krimit dhe korrupsionit, nga sharlatanët dhe Veshot.
Të hënën kallëzim penal në SPAK për Naim Nokën. Në vijim për Elvi Fundon dhe Syri Tv për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal, shmangie taksash etj.
Dy fjalë për videon
Protagonist i këtij video-skandali korrupsioni është gazetari Naim Noka, pronar i portalit ‘publik.live’, me nipt L92201032D, që në fakt i përket një kompanie fantazmë ndërtimi ‘Noal’, e cila rezulton me zero deklarime, zero punonjës etj.
Naim Noka, sekser i gjyqtarëve të korruptuar dhe pupac i klaneve të korrupsionit, i vetëquajtur gazetar investigativ dhe që pretetendon se zbaton projekte të USAID, vendos gjoba, përmes shtrëngimit për dhënie pasurie me anë të shkrimeve të kopjuara, publikon dhe heq lajme me para cash, bën pazare dhe pretendon se ka korruptuar zyrtarë të tatimeve, disa kryetar bashkie, deputetë, gjyqtarë, prokurorë etj., për të cilët do të flasim në vijim me emra, zë dhe figurë.
Madje ai thotë se i ka ofruar drekë edhe një ministër për të hequr një lajm.
Kjo video është shkëputur nga 18 orë materiale regjistrimi viodeopërgjimi, audiopërgjimi, mesazhe, lokalizime, filmime, vëzhgime në distancë, përgjime ambientale etj., në një periudhë investigimi prej dy muajsh.
Fillimisht kemi vendosur të publikojmë vetëm episodet ku Naim Noka implikohet penalisht në korrupsion në sektorin privat, pastrim parash, evazion fiskal, ndikim të paligjshëm, shmangie taksash, mashtrim me taksat etj.
Në këtë video, Naim Noka, pasi arrin pazarin, merr 51 mijë lekë (510 mijë lekë të vjetra) për të hequr një lajm, të cilin e ka vjedhur në media të tjera, duke e paraqitur si invetigim të vetin, siç bën zakonisht me portalin e tij periferik dhe ordiner, por që çuditërisht thotë se financohet nga USAID.
Bëhet fjalë për një lajm rreth tenderave të dyshuar klientelistë të Bashkisë Lushnje për kompaninë Zdrava me nipt J84003411K.
Në momentin kur paratë dalin nga çanta, Naimi ‘shkrihet’, i varen buzët dhe gati lëshon jargë si ndonjë oligator, ndërsa në fund i kap paratë si ato kambistat tek Dollari, ku propozon për t’i ndarë përgjysmë.
Pazari nuk ndalet, pasi pas heqjes së lajmit, kërkon nga 1 milionë lekë çdo muaj, tashmë përmes bankës, por i pranon edhe cash.
Pasi merr dorën e parë, Naim Noka, i cili pranon se është përdorur nga krimi dhe korrupsioni për të shantazhuar gazetarë të njohur ndërkombëtarisht dhe që vunë në lëvizje SPAK-un me kallëzime penale për të mbërthyer kokat e korrupsionit, dërgon niptin dhe numrin e llogarisë së kompanisë së ndërtimit dhe gomisterisë, të cilën e përdor për gjoba, për t’i kaluar gjobën në bankë.
Gjatë bisedave, në materiale të tjera, Naimi mburret se ka mashtruar USAID për t’i marrë një projekt 50 mijë euro, mburret për lidhjet e tij korruptive si dhe shan të gjithë kolegët për të nxjerrë në pah cilësitë e tij.
Naim Noka tregon edhe përsërit disa herë makthin e tij. Thotë se i ka bërë sytë katër dhe nuk fle i qetë. Makthi i tij është gazetari Adriatik Doçi, për të cilin shprehet se është i paparashikueshëm, ndonëse gënjen duke pohuar se ka porositur disa çuna për t’a rrahur dhe se këta laca e kanë rrahur. (Në fakt Naimi nuk ka guxim as që t’a shohë në sy apo t’i dëgjojë zërin.)
Psedogazetari Naim Noka tregon se është përdorur nga klane korrupsioni koncensionesh dhe nga gjyqtarë KÇK, me qëllim për të shantazhuar gazetarin Adriatik Doçi, përmes çimkave dhe Almave mediatike.
Naimi tregon se është koordinuar me Vesho mallistin dhe Syrin e Shkëlzenit, për të sulmuar gazetarin Adriatik Doçin, për llogari të korrupsionit dhe krimit.
Për të gjitha këto, ai kishte një parandjenjë të keqe!