Meksika e ka nisur në mënyrë spektakolare kampionatin Botëror duke marrë një tre pikësh të artë në sfidën e parë kundër pretendetëve kryesorë për të fituar Kupën e Botës, Gjermanisë.
Meksikanët triumfuan me shifrat 1-0 ndaj kampionëve në fuqi të Botërorit të cilët nuk e kanë nisur ashtu siç duhet këtë event.
Sfida e zhvilluar në “Luzhniki Arena” të Moskës dhuroi mjaft emocione ku Meksikë dhuroi një 90 minutësh fantastik përballë një Gjermanie që ishte në një ditë të keqe.
Skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv zhvilloi një ndeshje mjaft të dobët duke krijuar shumë pak raste të rrezikshme për shënim, ndërsa reparti që çaloi shumë ishte mbrojtja e cila e kishte mjaft të vështirë për të ndalur kundër sulmet e shpejta të meksikanëve.
Heroi i Meksikës në këtë fitore ishte sulmuesi Lozano i cili konkretizoi në mënyrë perfekte një kundër sulm fantastik të skuadrës së tij dhe pasi shmangu bukur në zonë Ozil e dërgoi topin në fund të rrjetës për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë të dyja ekiper krijuan pak raste për shënim dhe në fund Meksika e nis me një tre pikësh të merituar kampionatin Botëror duke mundur që në start kampionët e Botës të cilët me lojën që zhvilluan nuk mund ta mbrojnë dot titullin.