Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri gjatë fjalës së tij në Kuvend zbuloi se i ka dhënë ndihmën e parë, Renis Muçës, 14-vjeçarit që humbi jetën pak ditë më parë pavarësisht se u dërgua për kurim në Turqi.
Valteri propozoi një minutë heshte në nderim të kujtimit të vogëlushit, ndërsa u shpreh se ikja e tij la pas vetëm dëshpërim.
“Pak ditë më parë një lajm i trishtë erdhi nga Turqia për Renisin 14-vjeçar që nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra nga aksidenti. I dhashë ndihmën e parë. Mbajmë një minutë heshtje.
Jam interesuar gjithmonë për gjendjen e tij shëndetësore. E nxorrën nga spitali sepse nuk mund të bënin më asgjë për të.
Ikja e tij na la pas vetëm dëshpërim. Mjaftojnë vetëm 10 km rrugë që të bëhet një spital. Prandaj kur dëgjoj se shqiptarët duan të ikin mendoj se nuk kanë mundësi të zgjedhin për jetën e tyre.
Në këtë vend nuk të lejojnë të jesh i lumtur. Shqiptarët duan të ikin se nuk zgjedhin dot”, u shpreh Valteri.