Një nga provat më të forta që SPAK ka në duar në hetimet për 21 janarin, është audio e lëshimit të urdhrit për të qëlluar me plumba të vërtetë ndaj protestuesve, në një kanal sekret, që përdorej nga një rreth i ngushtë personash.
Audio regjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë.
Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.
Pjesë nga regjistrimi:
Ndrea Prendi: Artan, dëgjon?
Artan Hoxha, zv/komandanti i Gardës: Dëgjoj, dëgjoj
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do të hapet zjarr luftarak
Zv/komandanti: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri
Ndrea Prendi: Dashamir, dëgjuat?!
Dy efektivë të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta, ta, ta gjakos.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!”
Regjistrimi i këtij komunikimi të brendshëm është bërë me një diktofon dhe pas 13 vitesh nga protesta e 21 janarit, kaseta origjinale u dorëzua në SPAK në tetor të vitit 2024. Tashmë kjo provë është duke u ekspertuar në laboratorët e SPAK, për të përcaktuar autenticitetin e saj, dhe më pas do të bëhet krahasimi i zërave që janë në audio për të gjetur edhe shkencërisht, se kujt i përkasin.
Nëse ky ekspertim nuk mund të kryhet nga SPAK, do të kërkohet edhe ndihma e laboratorëve të tjerë të fuqishëm jashtë vendit.
Kjo kasetë, e konsideruar një provë e re dhe e fortë për procesin tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër. I pari që pritet të ballafaqohet me zërin që jep urdhër për zjarr, është Ndrea Prendi, ish-komandanti i Gardës i cili para hetuesve të SPAK do duhet të tregojë eprorët që i dhanë urdhrin për të qëlluar me plumba ndaj protestuesve.