Vullkani Semeru në Indonezi, shpërtheu mesditën e sotme, duke lëshuar hirin dhe retë e tymit deri në 4 kilometra lartësi.
Agjencia e Vullkanologjisë së vendit që ngriti alarmin më të lartë. Më konkretisht, sipas agjencisë, vullkani hodhi re hiri 3,600 metra mbi majën e malit, ndërsa banorëve të zonës po u kërkohet të largohen të paktën 2.5 km larg vullkanit për shkak të rreziqeve.
Sipas një deklarate nga Shërbimi Gjeologjik Indonezian, shpërthimi i vullkanit shkaktoi “ortekë” resh të nxehta hiri dhe një përzierje shkëmbinjsh, lavash dhe gazesh që mbuluan një distancë deri në 7 kilometra përgjatë shpateve të malit.
Semeru, me një lartësi prej më shumë se 3,600 metrash, është një nga pothuajse 130 vullkanet aktive në Indonezi. Është mali më i lartë në ishullin indonezian të Java. Një shpërthim në vitin 2021 vrau të paktën 57 persona. Indonezia ndodhet në “Unazën e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik, ku takohen pllaka të ndryshme të kores së Tokës dhe krijojnë një numër të madh tërmetesh dhe vullkanesh.
Në një deklaratë, Qendra Këshillimore për Hirin Vullkanik (VAAC) e Australisë paralajmëroi banorët vendas të qëndrojnë 500 metra larg bregut të lumit përgjatë Besuk Kobokan, për të shmangur goditjen nga “retë e nxehta në zgjerim dhe rrjedhat e lavës”.






