E ndërsa Shqipëria luan sot në Moldavi ndeshjen e parafundit të kualifikueseve për EURO 2024, në stadiumin “Air Albania” ka nisur puna për përballjen e fundit ndaj Ishujve Faroe.
Me sa duket spektakli do të jetë prezent, teksa Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar të surprizojë, por njëkohësisht të tregojë vlerat që mbart arti shqiptar.
Në fushën e stadiumit “Air Albania” po përgatitet koreografia që do të vihet në “skenë” nga Ansambli Kombëtar. Me siguri nuk do të mungojnë veshjet popullore dhe atmosfera e zjarrtë në shkallët e tribunës.
Kujtojmë që përfaqësuesja jonë është thuajse e kualifikuar në EURO 2024, teksa 1 pikë e çon zyrtarisht në këtë kompeticion madhor. Ndeshja e fundit ndaj Ishujve Faroe është programuar të zhvillohet të hënën në orën 20:45, duke i “vënë kapakun” këtyre kualifikuesve spektakolare me në krye trajnerin Sylvinho.