Të thuash të vërtetën në Shqipëri po bëhet çdo ditë e më e vështirë. Të raportosh mbi sjelljet kompromentuese të një funksionari të drejtësisë, konsiderohet ndërhyrje e paligjshme, shantazh, presion dhe sulm.
Ditët e fundit, segmente të gjyqësorit dhe disa institucione shtetërore kanë nisur një fushatë histerie kundër mediave, të cilat kanë raportuar mbi sjellje dhe veprime kompromentuese të gjyqtares së Gjirokastrës, Suela Dashi dhe të disa gjyqtarëve të tjerë.
Kundër emisionit ‘STOP’, portalit Prapaskena dhe Infront, si dhe në mbrojtje të Suela Dashit dhe shokëve të saj, janë angazhuar Unioni i Gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Apelit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe AMA. Në lojë u përfshi edhe kreu i SPAK, Arben Kraja, nuk dihet nga mungesa e informacionit apo qëllimisht.
Po çfarë ka ndodhur që këto organe i ka zënë tartakuti, duke dalë me deklarata luftarake, me pretenca dhe dënim kapital për mediat?!
Gjyqtarja Suela Dashi është filmuar teksa hipën në makinën e prokurorit karagjoz Emror Kasaj në Durrës dhe zbret pranë Gjykatës së Gjirokastrës. Më pas, Suela Dashi hyn në sallën e gjyqit dhe pranon kërkesat e prokurorit Kasaj.
Ky fakt është pranuar publikisht edhe nga vetë Emror Kasaj, i shkarkuar nga Vetingu për pasuri të paligjshme.
Kjo është videoja kur gjyqtarja Suela Dashi del nga makina e Emror Kasajt. Videoja është publikuar nga emisioni STOP. Është pasqyruar edhe nga Prapaskena.
Ku qëndron fyerja, presioni dhe intimidimi këtu?
Ku është elementi shpifës këtu që pretendon Gerd Hoxha i Unionit të Gjyqtarëve?
Çfarë përgjegjësi ka media që gjyqtarja bredh në makinë me prokurorin?
Pse duhet të fshehim të vërtetat për hir të mos cënuar besimin e publikut tek drejtësia?
Suela Dashi dhe Emror Kasaj le të shkojnë edhe në hënë bashkë, por çështja është se nuk mund të ketë një proces gjyqësor të drejtë kur gjyqtarja dhe prokurori kanë qenë bashkë para se të hynin në sallën e gjyqit, madje në një makinë dhe vetëm ata të dy.
Procesi është i kompromentuar, pasi Suela Dashi kthehet thjeshtë në një notere e prokurorit Kasaj. Dhe këtu cënohen të drejtat e palëve për një proces gjyqësor të drejtë.
Nëse media nuk pasqyron një fakt të tillë, cili është misioni i saj? T’i bëjë fresk Gerd Hoxhës dhe KLGJ-së?
Në vend që të merrte masa ndaj gjyqtares Suela Dashi, KLGJ-ja e merr në mbrojtje, si një model që duhet inkurajuar.
Ky është rasti kur pushteti po tenton t’i mbyllë gojën medias përmes presionit qesharak dhe vetëdiskretitues.
Prapaskena do të vijë të publikojë fakte mbi aferat korruptive, seksuale dhe pazaret e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu siç edhe do të evidentojë prokurorë dhe gjyqtarë që marrin vendime kundër mafies, krimit dhe korrupsionit.
https://prapaskena.com/wp-content/uploads/2022/11/VID-20221128-WA0014.mp4?_=1