“Tirana Green City” nuk është më thjesht një slogan por një revolucion që ka nisur.
Krahas nismës së guximshme për të mbjellë 2 milionë pemë deri në vitin 2030 dhe për të krijuar atë që do të quhet si Pylli Orbital, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të nxisë një revolucion të vërtetë edhe në transportin e gjelbërt publik.
Në total janë tre drejtimet që po punohet: E para, ka të bëjë me shtimin e korsive të biçikletave dhe ardhjen në Mars të 4 mijë biçikletave në Tiranë, e dyta ka të bëjë me nxitjen e rinovimit të flotave të taksive në taksi elektrike, dhe e treta dhe më e rëndësishmja është transporti urban.
Ashtu siç edhe kishte premtuar kryebashkiaku Erion Veliaj, Tirana shumë shpejt do të ketë linjën e parë të transportit urban krejtësisht të gjelbër.
Këshilli Bashkiak që do të mblidhet me datë 31 janar do të diskutojë ndërmjet të tjerave edhe propozimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës krijimi i një linje të re transporti dhe që për shkak se do të jetë me autobusë elektrik do të emërtohet si “Linja e Gjelbër”.
Burime nga Bashkia e Tiranës kanë bërë të ditur se kjo linjë do ti ofrohet asaj kompanie që do mundësojë sjelljen në Tiranë të autobusëve elektrik. Këtë e ka bërë të ditur më parë edhe vet kryebashkiaku Veliaj, i cili ka theksuar se bashkia do të incentivojë të gjithë ata që do të sjellin mjete të transportit që janë miqësore me ambientin.
Linja e re sipas projektvendimit të paraqitur në Këshill Bashkiak do të përshkrojë itinerarin nga Pallatri me Shigjeta – Porcelan – Rruga e Dibrës – Stacioni i Trenit – Sheshi Shqiponja dhe për të mbërritur sërisht te Pallati me Shigjeta.