Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e vizitës së kancelares së Gjermanisë dhe kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në vendin tonë, Policia e Shtetit ka marrë disa masa.
Në një njoftim për mediat, autoritetet sqarojnë se në disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente rrugore, me qëllim moskrijimin e mbingarkesës në trafik nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të datës 14 shtator, si dhe të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.
Policia sqaron se do jetë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës që do kenë nevojë.