Nga Fjorda Llukmani
Çfarë ndodh në Vjenë, mbetet në Vjenë…
Ky ishte mendimi i parë që më shkoi nëpër mendje pasi mbaroi Europride. Për ju që nuk e dini Europride është një ngjarje ndërkombëtare kushtuar krenarisë së të qenit pjesë e LGBT, që çdo vit mbahet nga një qytet evropian.
Këtë vit parade mbahej në Vjenë dhe e quaj veten me fat që mora pjesë. Zakonisht zgjidhen qytete që kanë komunitet të integruar me LGBT, si Berlini, Londra, Madridi apo të tjera qytete me mendje të hapur. Jam e sigurt që në Shqipëri kjo paradë s’do të mbahej kurrë.
Përgatitjet e eventit fillojnë një muaj para dhe çdo ditë ka aktivitete të ndryshme në qytet dedikuar të drejtave themelore të personave që janë pjesë e këtij komuniteti.
Unë kam shokë gay sa të duash dhe jam goxha mendje hapur kur vjen puna për dashurinë. Secili duhet të zgjedhë të bëjë ç’të dojë me jetën e vet, kaq e vështirë është për racën tonë të mësohen me këtë ide? Vjena mori ngjyrat e flamurit të LGBT për një muaj. Çdo metro, tram, instituucion qeveritar apo privat, universitet edhe bare vendosën flamurin në hyrje për të treguar solidarizim. Madje edhe disa viza të bardha u lyen me ngjyra në rrugët kryesore.
Aktiviteti kryesor zhvillohej në sheshin para bashkisë Rathaus.
Ama kulmi i eventit është parada, ku vijnë gjithë njerëzit nga Evropa dhe bëjnë parakalim në unazën e Vjenës. Më besoni s’kisha parë kurrë një atmosferë aq festive dhe të lirshme mes njerëzve.
Dalim bashkë me mikeshat e mia për të parë se ç’bëhet. Parada filloi në orën 12 dhe mbaroi rreth orës 7 pasdite. U hap me fjalën e presidentit të Austrisë, i cili u bë politikani i parë që çeli paradën, megjithëse ka mbi 20 vjet që zhvillohet në qytete evropiane.
Në paradë parakalonin kamionë të cilët brenda mbanin njerëz që festonin. Dikush ecte para me një tabelë për të treguar se çfarë vendi apo organizate përfaqësonin. Ngjyra dhe vetëm ngjyra më shikonin sytë.
Disa nga ata që kalonin në paradë dhuronin performanca për publikun. Secili nga ne është i lirë të kalojë në paradë apo vetëm ta shohë nga larg. Nuk besoj se ndonjëri nga ne do të refuzonte të bëhej pjesë e një feste masive ku të gjithë kërcejnë. Në fund morëm vesh që kishin qenë 500.000 pjesëmarrës. Kështu Vjena theu rekordin e pjesëmarrësve të Europride.
Pamë femra lakuriq të cilat kishin pikturuar trupin e tyre dhe kërcenin para se të kalonte kamioni apo autobusi festiv.
Madje edhe trans të zhveshur që kanë modifikuar gjoksin e pjesët e tjera seksuale të trupit. Shumë prej meshkujve ecnin me taka 15 cm. I kërkova dikujt prej tyre leksione e filloi të më shpjegonte: ‘Dëgjo zemër trupin duhet ta mbash drejt dhe kokën lart. Je femër e s’duhet ta ulësh kokën për asgjë. Përpiqu t’i mbash këmbët e mbyllura dhe të ndjekësh një vijë të drejtë. Mirë është të lëvizësh dhe shpatullat për të treguar që një lozonjare, por kjo varet. Po të kisha mundësi unë do rrija gjithë ditën në majë të takave.’
‘Hajde, hajde ku ka vajtur muhabeti, një mashkull duke më mësuar si të eci si femër,’-u komentoj shoqeve të mia.
Për të nxitur atmosferën festive, njerëzit që ishin nëpër kamionë hidhnin ujë me pistoletë që në disa raste përmbante dhe alkool brenda. Më pëlqeu jashtë masë që të gjithë po kërcenin dhe ishin pjesë e atmosferës. Kur shikoja dy meshkuj duke u puthur apo dy femra, s’më bënte përshtypje fare. Ashtu siç unë s’u shpjegoj dot atyre prirjet e mia seksuale, ashtu dhe ne si kuptojmë dot prirjet e tyre.
Bashkia e Vjenës dhe organizatorët meritojnë një përulje të madhe për gjithë organizimin. S’e di si mund të jenë kaq perfekt këta njerëz! Kushdo që kalonte në paradë udhëhiqej nga roje që i tregonin kohën kur duhet të ecnin. Anash kamionëve apo autobusëve kishte njerëz që mbanin një litar për të ruajtur perimetrin e rrezikut që ndokush mund ta merrte rrota me vete. Atë ditë temperatura shënonte 35 gradë dhe për të freskuar popullin ishin vendosur zorra të mëdha llastiku që nxirrnin ujë me presion. Kush kishte vapë, kalonte aty dhe freskohej direkt. Unë kalova disa herë dhe e shijova aq shumë! Më kujtohej kur isha e vogël dhe luanim te lagja e nonës. Sa herë bëheshim pis nxirrnim zorrën me presion e lagnim njëri-tjetrin.
Pale kur mbaroi festa… Janë aq të ndërgjegjësuar sa edhe plehrat i kishin lënë nëpër rrugë por të ndara në qelq, kanoçe apo plastikë, që mos të lodhen për t’i ricikluar pastruesit. Qëndrova kastile për të parë pastrimin e rrugëve. Një makinë mblidhte plehrat, tjetra i thithte, një tjetër hidhte shkumën, në fund hidhej uji. Tamam siç lajmë shtëpinë tonë, marrim pluhërat, pastaj fshesën e korrentit, pastaj një leckë. Qyteti është shtëpia e të gjithëve, prandaj duhet mbajtur pastër. Për një orë dukej sikur s’kishte ndodhur asgjë në ato rrugë.
Në paradë pashë plot fëmijë. Të vegjëlve u vendosnin kufje në vesh që mos të trembeshin nga zhurma. Ama disa prej tyre mbanin edhe flamurë nëpër duar. Në mes të turmave shikoje njerëz me karrocë invalidë për të cilët kujdesej një shoku i tyre. Edhe pse të pamundur për të ecur, ishin pjesë e festës e kërcenin si gjithë të tjerët.
Atë ditë trami që kalon në unazën e Vjenës nuk punonte. Madje dhe Google Maps për herë të parë vendosi shenjat e flamurit të LGBT në hartë për të qartësuar ku ndodhej parada. Në stacione të tjera metroje, tek destinacionet që të çonin në paradë shkruhej ‘Pride with pride’. Me demek gjithë qyteti u solidarizua.
Sa bukur kur jemi të gjithë në një ritëm. Sikur dhe shqiptarët të shihnin secili punën e vet e jo të tjetrit, mbase do të kishim më shumë kohë për t’u marrë me gjëra që vërtet vlejnë. E sa për komunitetin LGBT, më bën përshtypje që janë krenarë për atë që janë edhe pse ndryshe nga të tjerët dhe shumë të paragjykuar nëpër botë. Sa për ne që na duket vetja sikur jemi ‘normalë’ , mblidhni mendjen e merrni shembull nga vetëbesimi i tyre. Të qenit gay, lesbike, transgjinor, nuk është problemi më i madh që duhet të na shqetësojë. Në fund të fundit ç’na duhet ne se çfarë bën tjetri në krevat?/Dritare.net