Ngjarja e rëndë që tronditi mesditën e sotme Orikumin ka lënë të shokuar edhe fqinjët e çiftit Xhebroj, të cilët shprehen se nuk e prisnin një fund të tillë tragjik.
Në një prononcim për A2 CNN, një prej fqinjëve tregon se çifti njihej si njerëz punëtorë dhe të qetë.
“Ishin njerëz të mirë, në punën e tyre. Njerëz punëtorë. Jemi të habitur nga ngjarja. Na ra si bombë. Kishin biznesin e tyre, një lokal ku punonin bashkë burrë e grua. Kishin dy djem”, shprehet fqinji.
Sipas informacioneve të siguruara nga A2, çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënie dhe më herët kishte qenë drejt divorcit, ndërsa dyshohet se gruaja kishte qenë edhe më parë subjekt i dhunës në familje.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve nuk jetonin më së bashku prej rreth dy muajsh dhe kishin vendosur të qëndronin të ndarë, për shkak të problemeve të vazhdueshme mes tyre.
Mësohet se viktima, Sose Xhebro, ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte, për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe dyshohet se janë përshkallëzuar konfliktet, të cilat kanë çuar në ngjarjen tragjike, ku Llogora Xhebro i ka marrë jetën 40-vjeçares.
Hetimet po vijojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të rastit, ndërsa autoritetet po mbledhin dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt me çiftin, për të kuptuar më mirë rrethanat që paraprinë vrasjen dhe vetëvrasjen.






