Kunati i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Altin Hajri, Julian Gjoshiti qëlloi për vdekje pasditen e kësaj të diele, 50-vjeçarin Alfred Dedja. Ky i fundit një mik i 27-vjeçarit, pasi vite më parë kishte punuar si menaxher në resortin luksoz “Golden” në pronësi të Hajrit.
Prishja e pazareve të drogës deri më tani thuhet se është bërë shkak për këtë tragjedi. Si viktima po ashtu dhe autori rezultojnë të njohur për drejtësinë.
Julian Gjoshiti rezulton të jetë arrestuar nga Policia e Tiranës në janar të vitit 2021, pasi u kap me armë pa leje. Për lirimin e tij aso kohe u vu në lëvizje vetë kunati i tij i cili kontaktoi me “mikun” me njohje të mëdha, Jurgis Çrybja që ta nxirrte nga qelia.
Nga analiza e komunikimeve të bëra në aplikacionin “SkyECC që i përkasin datave 19 janar 2021-26 janar 2021, Çyrbja dhe Hajri bisedojnë se si të rregullojnë lirimin e kunatit të tij, kundrejt ofrimit të mijërave euro.
Në mesazhet e dërguara del dhe ndihma që ka dhënë një personazh i quajtur “Ols”, i cili dyshohet se është funksionar i Drejtësisë, mik i Jurgis Çyrbes.
“Se kan kap kunotim tim me pist….Mos bëjm naj gjë, Është kunati me gjeth atë bolin që rrin aty ke un. Paktën ta maj një dali nji. Shif naj arrest shpia. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt. Se dun kap tani. Se mos bëjn provën. Japim 10 i ero veç të na e prishi atë mrrokllën. Se ai mar qeka veç për gishtat. Se po se marove ti skam kujt me thën më vec me prish gjelponën.
Kërkoje vlla sa lek të dojn veç du tja maroj se më mytën kalamajt, daja. Jepi 20 mi euro sa doj ai, veç ta mbaroj. Më 21 del në gjyq. Flm dhe prej teje, të faja bëj mikut tat Olsit”, i shkruan Hajri-ish deputetit socialist, Jurgis Çyrbja. (BISEDË E ZBARDHUR NË DOSJEN E SPAK).
Kjo bisedë është sjellë sërish në vëmendje këtë të diel pas ngjarjes së ndodhur në lokalin në Ndroq. Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha i cili me foton e autorit dhe një denoncim përmbi status është shprehur se prokurori i cili ka ndikuar aso kohe në lirimin e Julian Gjoshitit ka qenë pikërisht prokurori Ols Dado.
“Olsi Dado liroi vrasësin nga burgu! Miq, autorin e vrasjes në Ndroq, e liroi nga burgu anëtari i organizatës kriminale, SKAP-i i Partisë Ols Dado! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!
Pershendetje Dr Autori i vrasjes se sotme ne Ndroq Julian Gjishi rezulton si personazh ne aplikacionin Sky Ecc ku Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja diskutonin per lirimin e tij pasi ishte kapur me arme … ku prokurori qe litoj Julian Gjoshin rezulton Olsi Dado aktualisht Prokurori i SPAK”, shkruan Berisha në postimin e tij.
Por, kjo akuzë e bërë nga ish-kryeministri Berisha bie poshtë pasi Ols Dado nuk ka qenë në Prokurorinë e Tiranës gjatë periudhës kur dhe është arrestuar kunati i Altin Hajrit.
Bisedat e Jurgis Çyrbjës dhe Altin Hajrit i përkasin muajit janar të vitit 2021, kurse Dado është larguar nga Prokuroria e Tiranës më 20 janar të vitit 2020 dhe në kohën kur ka ndodhur arrestimi i Julian Gjoshitit ai ka qenë ndihmës magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme.
Kjo deklaratë e Sali Berishës është hedhur poshtë dhe nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Përmes një reagimi zyrtar SPAK ka përgënjeshtruar deklaratat e bëra nga ish-kryeministri ku aludohej se prokurori, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”.
SPAK ka sqaruar ndër të tjera se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.
“SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative.
SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Prokurorisë së Posaçme. (Newsbomb.al)