Nga Elio Hysko
Në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arielës, edhe pse e di se gjithë fjalët e kësaj bote u bëfshin bashkë, përsëri nuk mund ta zbusin kurrë dhimbjen e tyre.
Vrasja e Ariela Muratit sot është një akt i cili ka shkundur secilin prej nesh, një akt i cili më bind edhe njëherë se në Shqipëri shekujt e kohërat bashkëjetojnë e nuk kanë ndjekur rrjedhën. Në vendin tonë shumë njerëz jetojnë në të tashmen, ia kanë dalë të emancipohen, të besojnë në barazinë midis njerëzve, tek liria e tjetrit dhe toleranca kundrejt atij që është ndryshe. Këta janë shqiptarët që kanë një mendje të hapur, të ngjashëm me moshatarët e tyre kudo në perëndim e më gjerë, që përcmojnë dhunën e nënshtrimin.
Por ka të tjerë që ende mbartin sjelljen e një shoqërie të mbyllur, e një mentaliteti të vjetër ku shoqëria ishte më e rëndësishme se individi. Ka ende sot në Shqipëri vajza që martohen me shkuesi, ndonjëherë pa arritur ende moshën madhore, prindër të cilët i ndalojnë të shkollohen apo të kenë një jetë të lirë në shoqëri, ka të ‘’dashuruar’’ që nga xhelozia mezi i lejojnë të marrin frymë partnerët e tyre dhe ende burra që gratë e tyre i izolojnë në shtëpi. Shpeshherë ky mentalitet ka prodhuar vrasës si ai i sotmi që ligësisht, nën justifikimin e pasionit, vrau sepse ajo nuk e pranoi, nuk mundi ta kishte, nuk bëri si donte ai.
Beteja sot në Shqipëri, përpos sfidës ekonomike për mirëqenie është kryesisht betejë kulturore, sfidë për emancipim, përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri liberale, të barabartë e të drejtë. Sot çdonjëri nga ne që trishtohet nga ky krim i shëmtuar nuk duhet të mjaftohet me një mesazh në rrjete sociale, me një nxjerrje mllefi e dufi që me të drejtë na kaplon. Ne sot duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë si mund të minimizojmë e pse jo zhdukim nga vendi ynë këtë mentalitet të vjetër.
Nësë njohim dikë që ka këtë mentalitet, duhet të përpiqëmi ta ndryshojmë, nëse njohim dikë në klasë, punë, lagje a në shoqërinë tonë që vuan si pasojë e këtij mentaliteti duhet ta ndihmojmë, të përpiqemi ta nxjerrim nga ai kurth i së shkuarës, nëse njohim dikë që është aq i ‘’fortë’’ sa mund të dhunojë, duhet ta denoncojmë. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do ia dalim gjithmonë, por nëse e kthejmë të gjithë në sfidën tonë, çdo ditë nga pak mund të ndalim vrasësin e radhës nga kryerja e një krimi, mund të shpëtojmë një jetë ndoshta pa e kuptuar. Shoqëria jonë duhet, e kam besim se mundet të kurojë këto plagë brenda saj. Fuqia e dashurisë së vërtetë, asaj për jetën e lirinë do të triumfojnë gjithnjë mbi dhunën, mbi ligësinë e mbi shtypësit.