Arrestohet nga policia e kryeqytetit bashkëpunëtori i autorëve të vrasjes së Devi Kasmitmbrëmë në Tiranë. Burime për Report Tv pohojnë se i arrestuari është personi që e thirri Kasmin që të dalë nga shtëpia. Autorët e kanë pritur viktimën të dilte nga shtëpia dhe në momentin kur ai po lëvizte në rrugicën e ngushtë dhe të errët e kanë qëlluar për vdekje.
Gjithashtu burime nga blutë e Tiranës konfrimojnë se është gjetur edhe motori me të cilin u larguan autorët pas vrasjes së Devi Kasmit. Motori i sekuestruar është i njëjtë me atë që duket nga kamerat e sigurisë, ndërsa po verifikohet. Policia vijon operacionin për arrestimin e autorit, i cili dyshohet se është Domart Konjari.
Konjari i liruar dy vite më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shkelje procedurale edhe pse rezultonte i dënuar në Francë me 10 vite burg, është shpallur në kërkim prej mbrëmjes së djeshme për vrasjen e 42-vjeçarit Devi alias Defrim Kasmi. Autori i dyshuar i krimit, Domart Konjari, i cili u arrestua në 2015, ka qenë i dyshuar për tetë vrasje në Shqipëri, Francë dhe disa vende të BE, si dhe për trafik të lëndëve narkotike, por Gjykata shqiptare e liroi me pretendimin se ishin shkelur procedurat.
Prej dy vitesh Konjari është në kërkim ndërkombëtar pas mbledhjes së provave shtesë në ngarkim të tij. Franca reagoi ashpër dy vite më parë për lirimin e Konjarit, duke akuzuar drejtësinë shqiptare se lanë të lirë një të dënuar me 10 burg, për hetimin e të cilit autoritetet franceze thanë se kanë harxhuar miliona euro. Policia po heton edhe konfliktet e vjetra të bandave të Tiranës, pasi viktima njihej më parë edhe si mik i Franc Konomit, një nga të fortët e bandës së rrugës “Bardhyl” i vrarë në verë të vitit 2010 në një atentat pranë zonës së “9 katësheve” në kryeqytet.
Kasmi kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, ndërsa mësohet se atje ka tentuar dy herë të vrasë Domart Konjarin pas përplasjes për pazaret dhe zonat e tregtimit të kokainës. Kjo ka qenë pista kryesore e policisë për të zbardhur ngjarjen, ndërsa pas kontrolleve të ushtruara në banesën e Kasmit janë gjetur rreth 3 kg kokainë si dhe 100 gr LCD (drogë e fortë). Gjithashtu në banesë është gjetur edhe një armë zjarri kallashnikov e fshehur poshtë krevatit. Fakti që iu gjetën dy pistoleta në brez, tregon se Devi Kasmi i ruhej një atentati të mundshëm. Dhe hakmarrja e Domart Konjarit nuk ka vonuar.
d.b/shqiptarja.com