Vrasja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë valës së fundit të sulmeve ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ka tronditur themelet e gjeopolitikës moderne. Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë theksojnë se shënjestrimi dhe eliminimi i një udhëheqësi të huaj nga një shtet tjetër nuk është një fenomen i panjohur në historinë e shekullit të fundit.
Ky zhvillim i fundit ka rihapur një debat të ashpër mes historianëve dhe ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare mbi kufijtë e luftës dhe legalitetin e veprimeve të tilla.
Hija e Luftës së Ftohtë, nga Lumumba te Amin
Për të kuptuar kontekstin e gjerë të kësaj ngjarjeje, duhet kthyer koka pas në histori. Profesori Luca Trenta nga Universiteti i Swansea-s, autor i një libri mbi rolin e vrasjeve në politikën e jashtme të SHBA-së, shpjegon se Uashingtoni ka një histori të gjatë dyshimesh për përfshirje në eliminimin e liderëve të huaj.
Raste flagrante përfshijnë vrasjen e kryeministrit të Kongos, Patrice Lumumba, dhe diktatorit të Republikës Dominikane, Rafael Trujillo, të dyja të ndodhura në vitin 1961.
Nga ana tjetër, edhe Bashkimi Sovjetik kishte një qasje të ngjashme. Diktatori komunist Joseph Stalin shqyrtoi seriozisht plane për vrasjen e liderit jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1953. Vite më vonë, në 1979, sovjetikët ekzekutuan udhëheqësin afgan Hafizullah Amin gjatë ndërhyrjes së tyre ushtarake në Afganistan.
Ndalimi amerikan dhe rënia e “fasadës”
Pavarësisht kësaj historie, pas skandaleve të viteve ’70, Shtetet e Bashkuara vendosën rregulla të brendshme të rrepta.
“Një pikë kyçe është se qeverisë amerikane i ndalohet të kryejë vrasje me anë të një urdhri ekzekutiv të vendosur për herë të parë në vitin 1975 (Urdhri Ekzekutiv 11905) dhe të konfirmuar vazhdimisht që atëherë,” thekson Trenta. Për të anashkaluar këtë ndalim, administratat e kaluara amerikane i justifikonin sulmet që mund të dëmtonin liderët e huaj (si në Libi ndaj Gaddafit, apo në Irak ndaj Saddam Husseinit) si akte “vetëmbrojtjeje” ose duke i lidhur me rolin e tyre ushtarak.
Megjithatë, rasti i Iranit duket se ka thyer çdo barrierë retorike. Sipas profesorit Trenta, pranimet e hapura të Presidentit Donald Trump dhe deklaratat zyrtare pas vrasjes së Khameneit sugjerojnë se “edhe kjo pengesë e dobët, ky trillim i respektimit të ndalimit të vrasjes, tashmë është zhdukur plotësisht.”
Çfarë thotë e Drejta Ndërkombëtare?
Përtej politikave të brendshme amerikane, ligji ndërkombëtar ofron një kornizë shumë strikte, e cila varet nga statusi i konfliktit (luftë apo paqe).
Marko Milanoviç, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Readingut, e sqaron këtë vijë ndarëse. Shënjestrimi i qëllimshëm i një kreu shteti ose qeverie është një “shkelje e qartë dhe e padiskutueshme e së drejtës ndërkombëtare”.
Rregullat ndryshojnë nëse liderët politikë kanë edhe funksione zyrtare ushtarake. Nëse ata janë anëtarë të forcave të armatosura dhe drejtojnë ushtrinë (siç ishte rasti me Khamenein, i cili ishte Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit), ata konsiderohen “luftëtarë” ashtu si çdo ushtar tjetër, duke humbur imunitetin nga sulmet.
Ky precedent i ri në Lindjen e Mesme pritet të rishkruajë jo vetëm ekuilibrat e fuqisë në rajon, por edhe mënyrën se si shtetet interpretojnë përdorimin e forcës kundër liderëve rivalë në të ardhmen.






