Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares shqiptare, Sonila Cani. Ajo u gjet e pajetë në mars të vitit 2021 në një apartament në periferi të Torinos ndërsa vdekja e saj është ende e mbuluar me mister. Mësohet se Sonila shfrytëzohej nga një grup gjithashtu shqiptar që drejtonte një rrjet prostitucioni. Mediat italiane bëjnë me dije se ky detaj u zbulua pas hetimeve të cilat javën e kaluar çuan në pesë masa paraprake për krime që variojnë nga grabitja deri te ndihma dhe nxitja e emigracionit të paligjshëm.
Gjashtëmbëdhjetë persona janë nën hetim. Sipas prokurorisë së Torinos, siç raporton gazeta La Stampa, vajza mund të jetë shtyrë për të kryer vetëvrasje. Hetimet koordinohen nga prokurorja Valentina Sellaroli. Operacioni që çoi në çmontimin e rrjetit filloi në maj 2022 nga një grabitje ndaj një prostitute shqiptare. Hetimet zbuluan një sistem kriminal që përfshinte gra të reja të detyruara të prostitucionin në zona të veçanta të qytetit si Barriera Nizza dhe Madonna di Campagna.
Viktimat, të gjithë kombësi shqiptare, sipas asaj që është rikonstruktuar, kanë pësuar ngacmime të vazhdueshme fizike dhe psikologjike. Gratë u detyruan t’ua dorëzonin të gjithë të ardhurat shfrytëzuesve të tyre dhe ndodheshin në kushte nënshtrimi total, të mbajtura edhe nëpërmjet lidhjeve sentimentale manipuluese. Mes tyre do të ishte edhe Sonila, e gjetur e pajetë në banjën e një apartamenti të vogël ku jetonte me partnerin e saj i cili është nën hetim.