Shqipëria përkujton sot Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn! 4 të vrarët para godinës së kryeministrisë së drejtuar atëherë nga Sali Berisha më 21 janar 2011.
Kur kanë kaluar 13 vite, familjet e 4 protestuesve të opozitës së atëhershme, – Partisë Socialiste, sot në pushtet – ende nuk gjejnë paqe. Sytë e thirrjet i drejtojnë te SPAK. Që urdhëruesit e zbatuesit të marrin dënimin e merituar.
Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimin e 14 nëntorit 2023 për Aleks Nikën, argumenton se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit ka pasur mangësi të shumta dhe ndërhyrje.
Shqiptarja.com publikon sot për herë të parë vendimin e plotë në shqip të marrë unanimisht nga 7 gjyqtarët e Strasburgut që kërkon të rihapet çështja dhe t’i hapë rrugë hetimit të munguar për zinxhirin e komandimit dhe jo vetëm.
Gjykata arriti në përfundimin se autoritetet kombëtare nuk arritën të ndiqnin seriozisht dhe në mënyrën adekuate disa linja kyçe të hetimit në lidhje me natyrën e çdo urdhri të dhënë nga personat në zinxhirin komandues gjatë ngjarjeve, duke përfshirë por jo vetëm në lidhje me përdorimin vdekjeprurës të armëve të zjarrit dhe mundësinë që demonstruesit të kishin qenë drejtpërdrejt në shënjestër të personelit të armatosur”, shkruhet në faqen 19 të vendimit.
Ndryshe nga tre viktimat e tjera që u qëlluan në afërsi të kryeministrisë, Aleks Nika ndodhej në krahun tjetër të bulevardit, kur një plumb e qëlloi për vdekje në kokë.
Në vendimin 32 faqesh ndër të tjera gjykata i jep një përgjigje dhe pretendimit të Gardës se kanë qëlluar vetëm në ajër për paralajmërim.
“….Është e vështirë të imagjinohet që të shtënat në ajër në një kënd të kujdesshëm mund të kenë goditur në kokë viktimën që qëndronte në nivelin e rrugës, madje edhe si rezultat i një rikosheti…. ”, shkruhet ndër të tjera në faqen 28 të vendimit.
“Është e paqartë pse ekspertiza nuk është kryer në kohën e duhur dhe në trupin e vetë viktimës dhe jo bazuar të raporte të mëparshme”, vijohet më tej.
Strasburgu evidenton deklaratat e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha pak pas protestës se “viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia”. Sulmet e ashpra deri me fjalor ofendues të ish kryeministrit Berisha ndaj Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe Ina Rama.
Ndërsa një komisioni hetimor parlamentar nisi punën paralelisht me hetimin penal duke patur “një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin”.
Hetimi nuk ka qenë efektiv që të mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e pretenduara dhe në përcaktimin e të vërtetës prandaj
“… Rruga tjetër e korrigjimit të nevojshëm përbëhet nga detyrimi i shtetit për të kryer një hetim efektiv që mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, shkruhet në faqen 21 të vendimit.
Kanë kaluar 13 vjet, e Rajmonda, bashkëshortja e Aleksit dhe dy vajzat e tij, Amelia e Nertila, të cilat atëherë ishte vetëm 2 vjeçe e 5 muajshe, e sot 15 dhe 13 vjeçe, duan të dinë: Kush dha urdhrin dhe kush qëlloi plumbin që i mori jetën babait të tyre, Aleksit?
Sytë i kanë tek SPAK./ Shqiptarja.com