Pagesa që ish-ndërtuesit dhe pronarët e apartamenteve në pallatin që u shkatërrua në vitin 2013 në Vlorë, me vendim të qeverisë Rama 1, të porsaardhur në pushtet, është në total 16 milionë e 800 mijë euro.
Gjykata e Strasburgut ka zbardhur, bashkë me vendimin që dënon shtetin shqiptar, edhe tabelat e pagesave. Pagesa fillestare është 14.2 milionë euro, por është marrë parasysh inflacioni dhe interesi për katër vite, duke e rritur shifrën. Përfitues janë 18 persona, 16 prej të cilëve pronarë me nga një apartament dhe që do të marrin nga 90 deri në 200 mijë euro si dëmshpërblim, shkruan Shqiptarja.com.
Përfituesit kryesorë janë dy shtetas: Xhaferr Isufi, vjehrri i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pronar i vetëm në 35 apartamente e ambiente do të përfitojë 6.2 milionë euro. Por ai, do të kompensohet deri në gjysmën e vlerës prej 7.2 milionë euro edhe për 25 prona që i ka në bashkëpronësi me Xhuvi Sharrxhiun.
Në total Xhafer Isufi përfiton rreth 9.8 milionë euro.
Sipas Shqiptarja.com, në vitin 2011, vjehrri i Lulzim Bashës ndërtoi pallatin luksoz në Ujin e Ftohtë në Vlorë, duke i hyrë detit në pjesë. Me gurë të hedhur u zu një pjesë deti dhe u përfitua një hapësirë jo e vogël përreth pallatit. Lejen për ndërtimin e këtij pallati e pati dhënë kryetari i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, pas një pakti të tij me Lulzim Bashën. Edi Rama, pikërisht për këtë arsye u prish me Gjikën, pasi e konsideronte një “skandal” zënien e bregdetit, çka, në fakt, është edhe e paligjshme. Askush nuk mund të ndërtojë në det. Asnjë ligj nuk e lejon këtë. Por pronarët e pallatit kishin arritur, dukshëm përmes pushtetit politik të Lulzim Bashës, të hipotekonin edhe detin.
Me ardhjen në pushtet, Edi Rama deklaroi se të gjitha ndërtimet që ishin bërë përgjatë bregut nga Skela e Portit deri në Ujin e Ftohtë në Vlorë do të prisheshin për të ndërtuar një shëtitore që u quajt Lungomare. Atëherë nuk u prish vetëm pallati i vjehrit të Bashës, por edhe shumë ndërtime të tjera, madje edhe të disa biznesmenëve afër PS-së.