Ndonëse në dukje ka një qetësi në grupin parlamentar rreth Sali Berishës, ajo është e gënjeshtërt. Është si qetësia përpara stuhisë, që pritet të shpërthejë nga çasti në çast.
Madje, as situata si ajo e një dite më parë me deputetin Agron Gjekmarkaj, kur ky i fundit ka humbur ndjenjat dhe ka përfunduar në spital, nuk i kanë shoshitur dhe nuk i kanë tejkaluar këto përplasje.
Ka qenë deputeti Xhelal Mziu, i cili nëpërmjet një postimi në Instagram, ka ironizuar Gjekmarkajn, duke e quajtur pa shtyllë kurrizore.
“Është me fat që është gjallë Doktor! Kur marrim parasysh që s’ka shtyllë kurrizore!” – ka postuar në profilin e tij Mziu.
Këtë postim deputeti i Dibrës e ka lënë për disa orë vetëm për miqtë e tij, pastaj në mëngjesin e sotëm e ka fshirë. Nuk dihen arsyet e fshirjes, por gjurma në Instagram ngelet dhe shumë ndjekës e kanë parë.
Kjo nuk është përplasja e fundit dhe e vetme në radhët e grupit të Berishës. Ata presin të dalë lista dhe janë në garë se kush t’i serviloset Doktorit, por e sigurt është që sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shumë do vlojë “kazani” i Berishës. Pas shpalljes së listët, lum kush do rrojë, të shohë gallatë.