Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur t’i përgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ithtarëve të tij.
Ish-kryeministri vijon turin e takimeve me bazën e PD, duke shtuar akuzat në adresë të liderit demokrat, ndërkohë që shkarkimi i deputetit Flamur Noka si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë ka bërë që njerëz pranë Berishës të sulmojnë ashpër shefin e selisë blu.
Por kryedemokrati Basha iu është përgjigjur dje “flakë për flakë” gjatë një prononcimi për mediat nga selia blu, ndërsa është shprehur hapur se do të pastrojë llumin e ish-qeverisë së PD-së, referuar njerëzve që i shkojnë pas ish-kryeministrit dhe që kanë qenë pjesë e kabinetit “Berisha” në vitit 2005-2013.
Madje, zoti Basha ka shkuar deri atje se ka akuzuar njerëzit pranë Berishës se kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe sipas tij, sot që flasim ata po pastrojnë paratë e pista, duke u ndihmuar edhe nga kryeministri Edi Rama. “A ka patur llum në kohën e qeverisjes së PD? Padiskutim që po.
Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dal dot ta pastrojmë. Njerëz që sot kanë kontrata me koncesionet e inceneratorëve. Njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama, janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës apo promovuar nga Edi Rama.
Që këto para të vëna me praktika korruptive, gjatë kohës që qeverisnim ne t’i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e PD se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme”, deklaroi ai.
Nuk mund të mbahet peng PD nga bishtat e korruptuar
Më tej me tone të ashpra kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se Partia Demokratike nuk mund të mbahet peng nga bishtat e korruptuar, akuza kjo që shkon drejtpërdrejt për ithtarët e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, PD është alternativa e vetme që ofron siguri dhe progres për qytetarët shqiptarë. “Ndaj, një gjë ta keni të qartë: Partia Demokratike është shpresa e vetme e këtij vendi.
Është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon se do ta kthej Partinë Demokratike në bunker për interesat e veta personale, që do të ndryshojë orientimin tonë Euro-atlantik, apo që do të thyej vendosmërinë time për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, siç e thash një pjesë e kemi pastruar atëherë, por një pjesë kanë mbetur dhe demokratët e dinë fare mirë kush janë e ku janë e se çfarë pazaresh kanë bërë dhe bëjnë edhe sot me Edi Ramën”, u shpreh ai.
Ndërkohë, zoti Basha garantoi se askush nuk mund t’i bëjë presion atij. “Kush mendon se do të thyeje vendosmërinë time në këtë drejtim, e ka shumë gabim. Nuk do të lejojë asgjë dhe askënd t’i bjerë me shkelmë sakrificës së demokratëve. Gjithçka që e kam bërë dhe po e bëjmë është në interesin më të mirë të demokratëve për të nderuar sakrificën e tyre, sepse po ju them dhe një herë, nuk ka shpresë tjetër për ndryshim për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç PD-së dhe demokratëve shqiptarë”, nënvizoi Basha.