Vetëm tre ditë larg përfundimit të afatit zyrtar për dorëzimin e kandidaturave për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po përfliten katër emrat e parë, të cilët do të garojnë për të pasuar në këtë detyrë kreun aktual të SPAK, Altin Dumanin.
Burime për gazetarin Elton Qyno bëjnë me dije se i pari që ka dorëzuar zyrtarisht platformën e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është prokurori Klodian Braho, aktualisht shef i seksionit kundër korrupsionit dhe “shpërdorimit të detyrës” në SPAK.
Ai ka depozituar dokumentacionin që prej ditës së premte, duke hapur formalisht garën për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm antikorrupsion në vend.
Ndërkohë, tre kandidatët e tjerë të cilët priten të dorëzojnë dokumentat brenda afatit përfundimtar të datës 8 tetor, janë:
-Adnand Xholi, zv. drejtues aktual i SPAK dhe një nga figurat me përvojë në strukturë;
-Elvin Gokaj, prokuror në seksionin kundër korrupsionit;
-Doloreza Musabelliu, prokurore në seksionin kundër krimit të organizuar.
Kjo e fundit përfaqëson një risi në historinë e zgjedhjeve për drejtimin e SPAK, pasi është hera e parë që në garë për këtë post merr pjesë një prokurore femër.
Edhe pse afati për aplikime mbetet i hapur deri më 8 tetor 2025, burime pranë KLP-së bëjnë me dije se nuk pritet të ketë kandidatë të tjerë jashtë këtyre katër emrave. Procesi tashmë pritet të kalojë në fazën e verifikimit të platformave dhe CV-ve të dorëzuara, përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të nisë vlerësimin dhe intervistat me secilin kandidat.
Kujtojmë se drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ashtu sikurse dhe ligji e parashikon, gara për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme është hapur tre muaj para përfundimit të mandatit të kreut aktual. Dumani u zgjodh më 18 dhjetor të 2022 dhe është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme i cili në këtë detyrë pasoi Arben Krajën.