Koncesionet e dhëna nga qeveria janë në disa sektorë të ndryshëm. Ndërkohë që nga të dhënat e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, rezulton se njerëzit që qëndrojnë pas shumicës së koncesioneve të dhëna në tetë vitet e fundit janë individë shqiptarë, pa përvojë dhe ekspertizë specifike në ofrimin e shërbimeve përkatëse.
Sipas revistës “Monitor”, një nga sektorët koncesionarë që ka shkaktuar më shumë debate në vitet e fundit kanë qenë inceneratorët për trajtimin e mbetjeve.
Integrated Energy B.V, me seli në Amsterdam të Holandës, është kompania që ka fituar koncesionin e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, projekt që u prezantua fillimisht me një vlerë prej 130 milionë eurosh. Sipas Regjistrit Tregtar, aksionere e Integrated Energy rezulton kompania GeoGenix B.V, tjetër shoqëri e regjistruar në Holandë.
Ndërkohë, Integrated Technology Waste Treatment Fier është kompania e cila ka fituar koncesionin e inceneratorit të Fierit, projekt me vlerë rreth 28 milionë euro. Aksionerë të kompanisë rezultojnë firma Integrated Technology Services, me 70 për qind të aksioneve dhe Ndërtim-Montim Patos, me 30% të aksioneve.
Inceneratori i Fierit pritet të dorëzohet vitin e ardhshëm. Albtek Energy është kompania që në vitin 2014 ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Aksionere e vetme e saj është Stela Gugallja dhe kontrolli ushtrohet nëpërmjet pronësisë direkte.
Koncensionet në shëndetësi dhe pullat fiskale
Ndërkohë, sipas revistës Monitor” një tjetër nga sektorët ku skemat e PPP-ve u përdorën masivisht pas vitit 2013 ishte shëndetësia. Përfituesit kryesorë të koncesioneve në këtë sektor janë biznesmenë pa përvojë, ndërsa koncesioni i parë në sektorin e shëndetësisë ka qenë ai i shërbimit Check Up ose Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç.
Ky koncesion u fitua në vitin 2015 nga kompania 3P Life Logistic. Koncesionari ka aksionerë dy shoqëri të tjera shqiptare Marketing & Distribution, me 80 për qind të aksioneve dhe TRIMED, me 20 për qind të aksioneve. Sipas kontratës, koncesioni do të përfitonte rreth 8.8 miliardë lekë për një periudhë 10-vjeçare, me një mesatare pagesash prej rreth 876 milionë lekësh në vit.
Koncesioni u pezullua që në mars të 2020-s, pas fillimit të pandemisë, deri në shtator të këtij viti. Ndërsa, Saniservice është kompania e dytë që ka marrë koncesion në sektorin e shëndetësisë. Ajo ofron furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik etj.
Vlera fillestare e koncesionit është rreth 100 milionë euro, ose 12.3 miliardë lekë, për një periudhë 10-vjeçare. Po ashtu, një tjetër koncesion është edhe ai lidhur me skanimin dhe pullat fiskale. Rezulton se pronar përfitues i shoqërisë S2 Systems, shoqëria e cila administron koncesionin e skanimit të kontejnerëve në pikat doganore është Olti Peçini, i cili është edhe pronar i spitalit privat Salus.
Koncesioni financohet pjesërisht nga pagesat e bizneseve (22 euro për çdo deklaratë doganore, 5 euro për ato me vlerë nën 1000 euro) dhe pjesërisht nga transfertat e buxhetit të shtetit. Në katër vitet e fundit, ai ka përfituar 5.7 miliardë lekë transferta nga buxheti, ndërsa për tre vitet në vazhdim pritet të përfitojë edhe 5.4 miliardë lekë të tjera./Monitor