Përjashtimi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, duket se nuk do të jetë i vetmi telash për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Dy ditë më parë gazeta “SOT” e tha se ish-kryeministri Berisha mund të bëhet pre e lehtë e drejtësisë, ndërkohë që dje kanë dalë informacione të forta sa i takon shpalljes “non grata” të ish-liderit demokrat nga amerikanët.
Ka qenë vetë kryedemokrati Basha, i cili dje ka plasur “bombën”. Sipas informacioneve nga selia blu, ditën e djeshme në një nga tre mbledhjet e grupit parlamentar demokrat, mësohet se zoti Basha ka zbuluar se amerikanët kanë sjellë dosje sekrete, përveç atyre që janë thënë deri më tani për Berishën, pas shpalljes së këtij të fundit “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Por siç thanë të njëjtat burime, Basha është mjaftuar vetëm më kaq, pasi e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndajë më shumë detaje rreth atyre informacioneve, që siç tha ai, i ka mësuar gjatë një takimi që pati zhvilluar në 30 qershor të këtij viti me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker në selinë blu.
“Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës.
Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjekjes sime për të arritur një dakordësi”, mësohet të ketë thënë Basha. Pra, fakti që amerikanët kanë informacione sekrete për ish-kryeministrin Sali Berisha, rëndon pozitat e këtij të fundit, pasi pas shpalljes “non grata” dhe përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ai mund të jetë pre e lehtë e drejtësisë, sepse dosja në fjalë mund të bjerë në duart e SPAK-ut.Dhe këtë e forcon edhe fakti që përjashtimi i Berishës, erdhi një ditë pasi ambasadorja Kim takoi kreun e SPAK, Arben Kraja.
Ja si Reeker bindi Bashën të përjashtojë Berishën
Por informacionet sekrete që amerikanët kanë kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, nuk është e vetmja çështje që është cekur nga kreu i PD, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Gazeta ka mësuar se kryedemokrati Basha ka zbuluar edhe një nga arsyet që e detyruan atë që të merrte vendimin ekstrem për të përjashtuar ish-kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar demokrat.
Sipas zotit Basha, ishte ultimatumi i diplomatit Reeker që i imponoi atij ta “vriste” Berishën, ishte i panegociueshëm dhe imponues, që duhet të ndodhte një ditë para konstituimit të Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Vendimi ndaj Berishës ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Vendimi është marrë vetëm në të mirë të PD. Unë nuk doja që të përçaja PD, ndaj mora një vendim personal. Në këto dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjidhëm dot problemin. Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë”, mësohet të ketë thënë Basha para deputetëve demokratë. /Rigels Seliman