Nuk ka asnjë dyshim që ish-presidentit Ilir Meta dosjen e spiunit të ish-Sigurimit të Shtetit, ja nxori në treg, media dhe në mejdan, ish-kryeministri Sali Berisha. Gazeta “SOT”, është e vetmja media që ka guxuar të pasqyrojë të vërtetën e dosjes “Meta”, duke zbardhur kulisat dhe treguar me detaje se kush fshihet pas këtij skandali, që kapi në befasi Ilir Metën, një ditë pasi ai zhveshi kostumin e Kreut të Shtetit.
Më 25 korrik, “si një rrufe në qiell të pastër”, Ilir Meta mësoi nga një letër që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë, të cilin e vinte në dijeni se ish-presidenti Meta përflitet se ka qenë spiun dhe bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo akuzë e rëndë tronditi nga themelet Metën dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që mazhoranca socialiste dhe një pjesë e Partisë Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj u vunë menjëherë në lëvizje, teksa premtuan ndryshime në ligjin e dosjeve, me qëllim që kryetarin e Partisë së Lirisë dhe spiunë të tjetër t’i largojnë përfundimisht nga politika.
Sipas informacioneve, mësohet se Ilir Meta në prapaskenë po punon shumë fort dhe po përpiqet që të manipulojë dosjen e tij, ku përveç kontakteve të shumta me personin me inicialet F.T., që thuhet se spiunin kur ishin shokë në Universitet diku në fund të viteve 80, ai po teton të bëjë pazare qoftë edhe me “djallin”, vetëm e vetëm që të dalë i larë nga kjo mesele. Por duket se ai e ka të humbur këtë betejë, pasi dosja është shumë e vështirë që të manipulohet tashmë, kjo edhe për faktin se ajo ka dalë nga zyra e bashkëpunëtorit të tij Sali Berisha.
Mësohet se ky i fundit vendosi t’i bëjë puç Metës, pasi ai injoroi thirrjet e tij (lutjet e tij), për të mos dekretuar Bajram Begajn si President të Republikës, si dhe pas flirteve në rritje që ish-presidenti pati me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe kryeministrin Edi Rama. Vetë Meta e sfidoi hapur Berishën, për shkak se u pa në disa aktivitete ku ishin të pranishëm Rama dhe ambasadorja Kim, ndërsa goditjen më të madhe doktorit ai ja dha nga Stambolli, ku firmosi dekretimin e Begajt, ndonëse Berisha i kërkoi të mos e merrte atë vendim, duke i dhënë kështu presidentin, Partisë Socialiste.
Po ashtu, Meta e ka thumbuar Berishën edhe dy ditë më parë, duke i bërë karshillëk. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përkujtuar ditën e lindjes së shkrimtarit dhe politikanit Sabri Godo, ndërsa ka shigjetuara hapur Berishën, teksa shkruan mençuria e vizioni i Godos, sipas tij, mungojnë shumë sot që Shqipëria është në krizë. Pra, këto lëvizje të Ilir Metës, nuk u kapërdinë dot nga Sali Berisha, i cili në shenjë hakmarrje i nxori Metës, dosjen e spiunit, veprim ky i fortë që rrezikon seriozisht t’i hedhë në erë karrierën politike kryetarit të Partisë së Lirisë. Thënë troç, Berisha u zëmërua me Metën, pasi ky i fundit i doli nga rreshti, pavarësisht se gjatë këtyre viteve ai e ka mbajtur peng, për shkak se shumë dosje që disponon kundre tij, ai po i përdor si “pranga” për ish-presidentin.
Dekretimi i Begajt, Berisha thirrje Metës
Por përpara se situatë të vinte në këtë pikë, u dhanë dosja sinjale fërkimesh me ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit kërkoi ndihmën e ish-presidentit Meta që të mos lejonte shkeljen e Kushtetutës për votimin e Kreut të ri të Shtetit. Sipas Berishës, me votimin e Begajt më 4 qershor në Kuvend u shkel neni 167, i cili e përcakton qartë se një ushtarak aktiv nuk emërohet dot në detyra të tjera shtetërore.
Ndër të tjera lideri historik i Partisë Demokratike, u shpreh disa orë para votimit të Begajt në Parlamentin e Shqipërisë, se rrezikohet që të krijohet një precedent shumë i rrezikshëm për vendin, gjithmonë në ‘kurriz’ të Kushtetutës. “Dënoj këtë akt si dëshmi flagrante e kapjes së shtetit dhe Kushtetutës nga një organizatë kriminale me në krye Edi Ramën, që nuk ka interesa të tjera përveç vjedhjes dhe plaçkitjes të qytetarëve. I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të saj”, shkroi Berisha ndër të tjera në rrjetet sociale më 4 qershor të këtij viti.
Meta i përgjigjet Berishës: E drejtë e tij të thotë ç’të dojë, zbatova Kushtetutën
Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me akuzat e tij për procedurën e ndjekur për lirimin e Bajram Begajt nga posti i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Berisha e ka cilësuar si anti-kushtetuese firmosjen nga Stambolli, teksa Meta ishte në një vizitë zyrtare. Ndërkaq, Meta shprehet se është e drejtë e Berishës të thotë ç’të dojë, ndërsa shton se ai është koherent me Kushtetutën dhe procedura ka qenë transparente. “Se çfarë thotë Berisha për dekretin për Begaj, është e drejtë e tij.
Nëse ka njeri në këtë tokë me koherent në mbrojtje të Kushtetutës, me falni për modestinë, por ai është Ilir Meta. Procedura e ndjekur ka qenë e qartë dhe plotësisht transparente. Procedura e firmosjes së këtij Dekreti është vetëm në zbatim të Kushtetutës”, deklaroi ai gjatë një interviste për “Syri TV” më 6 qershor të këtij viti. Më tej Meta sqaroi edhe procedurën e ndjekur. “Dekreti ka ardhur në mënyrë elektron/ike nga Tirana në Stamboll. Pasi u shqyrtua nga unë dhe pasi e lexova, e firmosa publikisht dhe u dërgua elektronikisht ne Tiranë. Çdo veprim i imi ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me ligjin.
Në planin kushtetues zero problem, ne planin ligjor zero problem, ne planin moral zero problem”, u shpreh ai. Ndërkohë Meta ka shtuar gjithashtu se vendndodhja fizike nuk është e rëndësishme. “Vendndodhja ime fizike nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që unë ka respektuar vetëm Kushtetutën e Shqipërisë”, nënvizoi Meta./SHKRUAR NGA RIGELS SELIMAN