Avokati i Erion Veliajt, Ermir Beta ka dorëzuar ditën e djeshme ankimim në Apelin e Posaçëm duke kundërshtuar vendimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës Ndërkohë sot janë zbardhur argumente të tjera me të cilat avokatët kundërshtojnë masën e arrestit me burg të caktuar ndaj Veliajt.
Sipas dokumentit të publikuar nga “Shqiptarja.com”, mbrojtja e kryebashkiakut ka argumentuar se SPAK ka shkelur afatet për të regjistruar procedimin penal ndaj klientit të tyre, pas padisë së ngritur nga Nesti Angoni. Sipas avokatëve të Veliajt, kallëzimi është depozituar në korrik të 2023 dhe SPAK e ka verifikuar atë pas 7 muajsh.
Por sipas ligjit prokurori i çështjes brenda 15 ditësh, duhet të kishte konstatuar ekzistencën e rrethanave që nuk lejojnë fillimin e një procedimi penal, apo në të kundërt, të kishte regjistruar procedim penal.
“Mes të tjerash në apelimin e dërguar Apelit përmendet se vet Gjykata e Posaçme ka relatuar historikun e kallëzimit dhe verifikimeve që kanë shërbyer si bazë për fillimin e procedimit penal, ku pranohet fakti që në Korrik 2023, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është protokolluar një kallëzim penal nga një shtetas anonim, i vetëquajtur Nesti Angoni, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë në regjistrin e gjendjes civile. Siç ligji procedural penal parashikon, kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, përveç rasteve kur është dokument që përbën provë materiale apo dokument i prodhuar nga vet i pandehuri. Por nga përmbajtja e kallëzimit anonim, qartazi nuk plotësohen këto kërkesa ligjore.
Në datën 8 Shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme ka administruar informacionin për referimin e veprës penale nga BKH-ja dhe po atë ditë, mqs ka konstatuar ekzistencën e elementeve që lidhen me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal Nr.27 të vitit 2024, por pa autor konkret. Ky referim policor ka patur synim verifikimin e rrethanave që paraqiste kallëzuesi anonim në Korrik 2023, pa cituar asnjë të dhënë që krijon dyshim për akt korruptiv, aq më pak për vepra të tjera si pastrimi i produkteve të veprës penale etj.
Plot 7 muaj i janë dashur Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së për verifikimin e një kallëzimi të nënshkruar nga shtetasi anonim Nesti Angoni, gjithsej 1 fletë, ndërkohë që brenda 15 ditëve prokurori duhet të kishte konstatuar ekzistencën e rrethanave që nuk lejojnë fillimin e një procedimi penal, apo në të kundërt, të kishte regjistruar procedim penal.
Ndaj vlerësojmë se çdo të dhënë shkresore që ka prodhuar verifikimi i kryer përtej këtij afati ligjor procedural, nuk mund të shërbejë si element i vlefshëm (burim prove apo indicie) që mund t’i bashkalidhet një kallëzimi anonim apo të përbëjë bazë të mjaftueshme të dhënash për të urdhëruar regjistrimin e një procedimi penal. Tejkalimi i këtyre afateve ligjore flet qartazi për njëanshmëri në hetim, për të prodhuar medoemos një procedim pa patur fakt penal, por edhe kur fakti i pretenduar është orientuar drejt një personi konkret, nuk ka asnjë të dhënë minimale për të urdhëruar shënimin e emrit të tij në regjistrin për njoftimin e veprave penale”, thuhet në shkresë.
Avokatët e kryebashkiakut po ashtu kanë argumentuar edhe për vilën në Qerret, për të cilën SPAK thotë se pronarët faktikë të saj janë Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Ata shprehn se sipas dëshmivë të personave që janë pyetur se vila i përket vjehrrës së klientit të tyre nuk merret parasysh, por iu jepet vlerë pretendimeve të kallëzuesit anonim. Sipas mbrojtjes, qëndrimi i familjes së Veliajt në këtë vilë është normale dhe pagesat mujore të kryera prej tyre për mirëmbajtjen e saj nuk mund të merren si prova se ata janë pronarët faktikë.
“Qasje e gabuar e organit procedues konkretizohet edhe në interpretimin që i bëhet zotërimit faktik nga z. Veliaj e znj. Xoxa të një vile të ndodhur në Marea Resort, Qerret, Kavajë. Edhe për këtë fakt penal të pretenduar citohen rrjedhat nga kallëzimi anonim, duke i dhënë vlerë të paracaktuar fakteve që kallëzuesi anonim paraqet për Prokurorinë e Posaçme, ndërkohë që situata reale lidhur me këtë send të paluajtshëm, e sqaruar nga deklarimet e gjithë të pyeturve se kjo është pasuri e mamasë së znj. Xoxa, për asnjë moment nuk merret në konsideratë.
Sigurisht që përgjatë hetimeve do të sqarojmë me detaje posedimin faktik të znj. Valbona Xoxe mbi këtë pasuri prej vitit 2017 e në vijim, frekuentimin mëse normal të kësaj vile nga e bija znj. Xoxa dhe nipi apo dhëndri i saj. Por nuk mund të serviren si prova që vërtetojnë posedim faktik të vilës nga z. Veliaj e znj. Xoxa disa pagesa mujore modeste të kryera prej tyre për mirëmbajtjen e saj, nuk mund të serviren si prova thëniet e dëshmitarëve që nuk mund të dëshmojë për çka flitet në publik dhe as të shprehë vlerësime personale, nuk mund të përbëjë provë fakti që ish-shoferi i të ndjerit z. Arben Xoxa nuk ka dëgjuar ndonjëherë për këtë vilë.
Organi procedues nuk mund të ndërhyjë në lirinë kontraktore të palëve, nuk mund të vlerësojë formën e kryerjes së akteve mes tyre nëse duhet të jenë noteriale apo jo, nuk mund të sjellë si argument detyrimin e z. Veliaj apo znj. Xoxa për deklarimin e kësaj vile si pasuri në zotërim, përsa kohë që kjo pasuri i përket znj. Valbona Xoxa, e cila nuk është subjekt deklarimi në ILDKPI dhe nuk disponon një kontratë finale që përbën titull pronësie për këtë prone. Edhe shprehjet e përdorura në vendim, të prodhuara nga komunikimet telefonike mes palëve të tilla si “…shtëpia jonë…” apo “…veshje nga të cilat duket se…” nuk mund të shërbejnë për formimin e dyshimit të arsyeshëm mbi këtë fakt të pretenduar.
Thellësisht i pabazuar e pa asnjë sens juridik duket argumenti se kjo vilë është pasuri e fshehur dhe e padeklaruar, pasi është rezultat i përfitimit të parregullt që z. Gentian Sula, në cilësinë e zotëruesit të shoqërisë Agi Kons shpk i ka dhënë z. Veliaj për shkak të detyrës së tij, pasi siç argumenton akuza, prej vitit 2016 e në vijim kjo shoqëri tregtare ka përfituar procedura prokurimi dhe koncesioni në vlera të konsiderueshme nga Bashkia Tiranë, madje disa procedura prokurimi përftohen pothuajse aq sa ka qenë vlera e fondit limit, duke skualifikuar operatorët konkurrues në garë, përveç Agi Kons shpk.
Ajo që mbrojtja çmon të theksojë për Gjykatën e Apelit është pikërisht ky standart provueshmërie i një fakt penal të pretenduar, që nuk mund të jetë i mjaftueshëm për caktimin e masave të sigurimit. Nuk mundet që të merret i mirëqënë një fakt i tillë i supozuar, pa asnjë bazë provueshmërie për ndonjë akt korruptiv. Lidhja e vilës nga z. Veliaj si pasuri e përftuar nga një akt korruptiv me përfitimin e fondeve nga Bashkia Tiranë për shoqërinë Agi Kons përveçse është produkt i fantazisë së hetuesve të BKH-së, nuk bazohet në asnjë provë direkte apo indirekte. Fakti që vlera prej 30.000 Euro që duhet t’i paguhej shoqërisë Agi Kons nga viti 2017 e deri më sot ende nuk është paguar, lidhet me pretendimet që ka znj. Valbona Xoxa mbi cilësinë e punimeve”, thuhet më tej në dokument.