Zbardhen të tjera detaje nga porositë e kryeministrit Edi Rama për deputetët socialistë. Dy ditë më parë nën drejtimin e kryeministrit Rama u mblodh në Elbasan Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ndërkohë që gazeta ka mësuar të tjera detaje nga ato që janë diskutuar në mbledhje.
Kështu burime të sigurta theksuan se përveç porosive që të zbresin të gjithë në bazë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021, shefi i qeverisë ka kërkuar nga vartësit e vet që të kenë një vëmendje të shtuar për punësimet. Duke qenë se në shumë takime të zhvilluara në strukturat e PS çështja e punësimit ka qenë një nga shqetësimet që kanë ngritur qytetarët, i pari i qeverisë ka kërkuar që Partia Socialiste të jetë sa më afër qytetarëve duke iu dhënë zgjidhje këtyre problemeve.
Në këtë kontekst mësohet se kryeministri Rama ka kërkuar që të vijohet me punësimet sipas meritës dhe të bëhet një audit, ku ata që nuk e meritojnë vendin e punës, pasi nuk plotësojnë kriteret arsimore dhe etike, duhet të largohen për t’iu hapur rrugë emërimeve të reja në administratë. Po ashtu, mësohet se Rama ka porositur deputetët që të jenë në kontakte të vazhdueshme me Zyrat e Punës, pasi këto të fundit janë vitrina të shumë vendeve të lira të punës që ofron shteti dhe sidomos privati.
Opozita e re dhe Meta
Por përveç porosisë për të shtuar vëmendjen ndaj punësimeve, mësohet se kryeministri Edi Rama ka udhëzuar deputetët që të kenë sy e veshë që gjatë takimeve që do të kenë me strukturat dhe qytetarët, ku në çdo diskutim duhet t’ua bëjnë të qartë se presidenti Ilir Meta, opozita jashtë dhe brenda parlamentare janë kundërshtarët e Partisë Socialiste. Në këtë kontekst mësohet se kryeministri Rama ka kërkuar që në çdo takim të sulmojnë Metën dhe dy opozitën, pasi këta të fundit nuk e meritojnë të qeverisin.
Po ashtu, mësohet se Rama ka kërkuar nga vartësit e tij që të bindin votuesit që janë të lëkundur që të votojnë PS për shumë arsye. Megjithatë, shqetësimin se presidenti Meta po investohet duke bërë fushatë në ndihmë të opozitës së drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, shefi e qeverisë e ka ndarë me vartësit e tij edhe pak ditë më parë.
Ishte gazeta “SOT”, ajo që e deklaroi se zoti Rama e kishte nuhatur se presidenti Ilir Meta po bën fushatë në mbështetje të opozitës parlamentare, sikundër e tregonte edhe ndarja e dekoratave vend e pa vend. Pra edhe pse shpërndarja e dekoratave është ekskluzivitet i Presidentit të Republikës, për Ramën kjo qasje është tejet tendencioze, pasi shefi i qeverisë ua ka bërë të qartë vartësve të vet në mbledhjen e 2 ditëve më parë se Meta po i shpërndan dekoratat për vota dhe se zbritja e socialistëve dhe shtimi i kontakteve me bazën është e domosdoshme.
Rama sot takim me krerët e bashkive
Mirëpo porositë që iu dha deputetëve, por edhe të tjera detyra, kryeministri Edi Rama do t’i shpërndajë sot pasdite edhe për kryebashkiakët socialistë, të cilët sipas burimeve të gazetës do t’i takojë në Elbasan.
Mësohet se edhe në takimin e sotëm që vjen një ditë para mbajtjes së Asamblesë Kombëtare, kryeministri Rama pritet të ndajë porosi për të zgjedhurit vendorë të Partisë Socialiste, sikundër është zbritja në terren, ndezja e motorëve të fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, përzgjedhja nga baza e kandidatëve për deputetë, punësimet, etj. Megjithatë, mbetet për t’u parë sot, nesër mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS, por edhe ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./ RIGELS SELIMAN