Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket i vendosur për të mos u dorëzuar sa i takon “luftës” kundër ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit ka shfrytëzuar disa media dhe disa takime me qytetarët për të sulmuar kreun e PD, ndërkohë që edhe selia blu nuk ka qëndruar duar kryq.
Gazeta ka mësuar se së fundmi në celularët e deputetëve të Partisë Demokratike ka shkuar një mesazh që është porosi e kryedemokratit Basha, ndërsa në të hidhen akuza në adresë të Berishës dhe madje numërohen disa nga bëmat e ndodhur gjatë qeverisë së drejtuara prej tij në vitet 2005-2013.
Në mesazh Basha i kujton Berishës ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, ku gjatë protestës së opozitës së kohës mbetën të vrarë 4 protestues të pafajshëm. Madje në mesazh, zoti Basha paralajmëron se fundi politik i Berishës do të jetë më 8 janar.
“Gënjeshtari patologjik dhe politik nisi akuzat nga shkallët e PD se në tarracën e saj gjendeshin forcat e Reneas. E kush kompleksohet nga njeriu që shpiku dhe sajoi çadrat pistoletë dhe “21 janarin”? Ngaqë e kuptoi dështimin e tij të radhës ai sajoi një tjetër protestë revolucionare, atë të 20 dhjetorit.
Në të ai përfundoi si mos më keq dhe ndaj u detyrua që të shpikte “përmbaruesin politik” një tjetër sajesë qesharake e Doktor Gënjeshtrës. Në fillim “përmbaruesi politik” i Doktor Gënjeshtrës do të vinte në 5 janar, por më tej ai ndryshoi mendje në 8 janar. Përpëlitjet e Doktor Gënjeshtrës janë tejet të rëndësishme pasi nesër do të jenë pjesë e manualit që të rinjtë do të përdorin për të dalluar mashtrimet nga e vërteta.
Berisha tashmë është në grahmat e fundit, ku 8 janari do të jetë edhe kapitullimi i tij politik”, thuhet në mesazh.
Revolucioni i “Foltores”, telenovelë turke
Por nuk ndalet me kaq, pasi kryedemokrati Lulzim Basha ka lëshuar edhe dje akuza në adresë të Sali Berishës. Basha ka zbritur dje në bazë dhe ka takuar demokratët e Dibrës, ndërsa qëllimi kryesor i këtij turi është afrimi i atyre, që sipas tij, u përdorën nga aksioni politik i Berishës.
Zoti Basha ka akuzuar Berishën se për interesa personale po vë në rrezik të ardhmen e Partisë Demokratike, ndërsa revolucionin e “Foltores” e cilëson si telenovelë turke. “Për fat të keq, me vendosjen e interesave personale, mbi interesat e demokratëve dhe mbi interesat e shqiptarëve, ajo që ka ndodhur këto tre muaj dhe ai që e ka shkaktuar po i shërbejnë pikërisht kësaj.
Ku ka luks më të madh për Edi Ramën, sesa nga mëngjesi deri në darkë si një telenovelë turke pa fund e pa fillim, në vend që të flitet për problemet e shqiptarëve, në vend që t’i mobilizojmë dibranët dhe gjithë shqiptarët në betejë, të dëgjojmë të njëjtat gënjeshtra që qarkullohen e riqarkullohen, e riqarkullohen”, deklaroi ai. Pra përmes këtij turi takimesh, Basha synon që të bëjë për vete edhe demokratët e zhgënjyer prej tij, në mënyrë që ata të braktisin Berishën.
Ndërkohë Basha i është përgjigjur edhe akuzave të ish-kryeministrit Berisha, i cili dy ditë më parë tha se Basha gjithashtu ka ndikuar në shpalljen e tij “non grata”. Basha theksoi se kjo nuk është e vërtetë dhe se ky vendim është marrë nga SHBA-të.
“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja “non grata” e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik SHBA. Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet”, nënvizoi Basha. /Rigels Seliman