Saimir Tahiri përfundon në burg. Ish-ministri i Brendshëm erdhi në sallën e gjyqit të Apelit të GJKKO në këmbë si në dhjetëra seancat e kaluara, por këtë herë nuk u kthye me makinën e tij në shtëpi, por me pranga në duar u transferua në Drejtorinë e Policisë Tiranë, për të përfunduar më pas në burgun ‘313’ në Tiranë.
Ndërkaq, më herët gjykata në vendimin e saj shpjegoi të gjitha shkeljet e ish-ministrit të Brendshëm Samir Tahiri. Sipas argumentimit të gjykatës së Apelit të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tahiri ka përfituar nga veprimtaria kriminale e vëllezërve Habilaj si dhe duke i favorizuar ata në trafikimin e drogës drejt Italisë.
“Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga z. Moisi dhe Artan Habialaj shërbimet dhe përfitimet e padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit”, thuhet në një nga pikat e argumentuara nga trupi gjykues.
Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi lënien në fuqi të vendimit numër 60, 19. 09, 2019 të gjykatës së shkallës së parë për Krimet e Rënda me ndryshimin si më poshtë: moszbatimin nenit 50 për të pandehurin z. Saimir Tahiri, vuajtja me burgim për të pandehurin Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme për korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi. Shpenzimet gjyqësore për gjykimin në Apel sikurse janë bërë. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të arsyetuar. U shpall sot në Tiranë në 4, 02. 2022. Në mënyrë të përmbledhur gjykata parashtron këto argumente:
1-Konkluzione mbi të pandehurin Saimir Tahiri, gjykata konkludoi se në ngarkim të Saimir Tahirit rezultojnë të provuara këto fakte; lidhja e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin në procedim të lidhur me Moisi Habialjan dhe me shtetasin Artan Habilaj.
2- Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve shtetërore dhe vendorë dhe nivel qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë dhe me vështirësi shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale,
3- Shoqëruar edhe në një periudhë me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri të lartë të punonjësve të policisë së shtetit dhe agjencive ligjzbatuese,
4- Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal dhe trafikim të narkotikëve ndaj pandehurit në procedim lidhur me z. Moisi Habilaj etj., në kuadër të një organizimi kriminal që merrej me këtë veprimtari.
5- Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të përhapjes së aktiviteteve të paligjshme mbështetëse, furnizuese me lëndë të parë të trafikimit të narkotikëve gjë që vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimeve të autoriteteve shtetërore dhe pasojës kriminale të ardhur.
6-Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për të vendosur në eficiencë të plotë strukturën më të lartë drejtuese të drejtorisë së policisë vendore Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara në kundërshtim me ligjin.
7- Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga z. Moisi dhe Artan Habialaj shërbimet dhe përfitimet e padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.
8-Për rrjedhojë z. Saimir Tahiri ka konsumuar elementët e veprës penale, të shpërdorim të detyrës i parashikuar nga neni 248 nga Kodi Penal.
Lidhur me masën e dënimit për pandehurin z. Saimir Tahiri, gjykata ka konkluduar se zbatimit i nenit 59 I Kodit penal është i pa bazuar në lig dhe prova në çështjen konkrete duke pasur parasysh, pozitën dhe funksionin kushtetuese e ligjor të të pandehurit z. Saimir Tahiri përgjatë kohës së kryerjes së veprës penale, për masën e cenimit të interesave shtetërorë si pasojë e veprës penale, shtrirje në kohë dhe në hapësirë të veprës penale dhe pasojave të saj, rrezikshmërinë e të pandehurit dhe të veprës.