Policia e Shkodrës ka zbardhur ekzekutimin e 32-vjeçarit Endri Mustafa, i cili u gjet i pajetë një ditë më parë në një zonë të pyllëzuar në lagjen Guerrile.
Autori kryesor i vrasjes, sipas policisë, është shtetasi Ibrahim Lici, 28 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Ndërsa në krim sipas hetimeve, mësohet se është përfshirë edhe një i mitur.
Ky i fundit, është vënë në pranga dhe sipas bluve, është shtetasi E. M., 15 vjeç cili dyshohet se në bashkëpunim me Ibrahim Licin kanë vrarë me armë zjarri Endri Mustafën.
Në pranga ra edhe shtetasi Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Njoftimi nga policia e Shkodrës:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 15.05.2021, në lagjen Guerrile, Shkodër, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi E. M. Shpallet në kërkim autori kryesor i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit.
Arrestohet në flagrancë bashkëpunëtori i autorit kryesor të dyshuar për vrasjen, si dhe vihet në pranga edhe një shtetas tjetër që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.
Në vijim të veprime të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët të Hetimit të DVP Shkodër dhe të Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara u bë shpallja në kërkim e shtetasit I. L., 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit E. M.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur E. M., 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri shtetasin E. M.
Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit I. L., në ngarkim të shtetasit E. M. për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të shtetasit E. A. për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vrasja
Endri Mustafa është një emër i njohur në Shkodër si person me precedentë penalë dhe i lidhur me grupe kriminale të qytetit.
I riu, baba i tre fëmijëve, u vra në mënyrë makabre, ku u qëllua me 1 plumb në gojë, 2 në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.
32-vjeçari u gjet i vrarë 3 ditë pasi familja e tij e kishte denoncuar si të zhdukur. Viktima, ka qenë i arrestuar më parë dhe i dënuar për plagosje.
Mustafa dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të Astmer Bilalit në Shkodër, i cili prej vitesh ka qenë në konflikt me familjen Liçi për shkak të hakmarrjeve dhe kontrollit të territorit për veprimtari të paligjshme. Një përplasje, e cila është shoqëruar me viktima të shumta nga të dyja palët.