Një nga rusët e arrestuar në Gramsh ka pranuar se ishte porositur për të bërë foto në disa vende të Shqipërisë.
Sipas burimeve të Top Channel, shtetasi rus ka rrëfyer se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë, por thotë se nuk ka më shumë informacione.
Të mërkurën ose të enjten, tre të arrestuarit që u kapën të shtunën në Gramsh do të dalin para gjykatës.
Ata po hetohen me akuzën spiunazhit dhe po mbahen në drejtorinë e policisë së Elbasanit ku janë marrë në pyetje nga prokurorët. Ndërkohë, gjykata u ka caktuar avokatë, të cilët janë takuar sot me klientët e tyre.
Rusja Svetlana Timofeeva e arrestuar nga autoritetet shqiptare dhe e akuzuar për spiunazh së bashku me një shtetas tjetër rus dhe një ukrainas ka hyrë lirisht në të shkuarën në bazat ushtarake shqiptare, duke fotografuar madje edhe duke përshkruar për ndjekësit e vet në rrjetet sociale detaje të sigurisë së tyre.
Në dy raste, rusja që në Instagram poston nën emrin Lana Sator ka hyrë në bazën ajrore të Gjadrit dhe në bazën e nëndetëseve në Porto Palermo në qershor të 2020, duke kaluar me radhë të gjithë filtrat e sigurisë, që nga ata të vendosur për parandalimin e përhapjes së Covid, e deri te siguria e bazës.
“Eksplorimi i këtyre bazave mund të jetë i rrezikshëm, sepse ka roje sigurie në territorin e bazës ajrore, por sapo të hyni brenda në bunker do të jeni të sigurtë”, shkruan rusja në përshkrimin e serisë së fotove që publikon.
Siç shihet nga këto foto, 33-vjeçarja e akuzuar si agjente ruse jo vetëm që ka hyrë brenda në bazën ajrore të Gjadrit, ku ruhen reliket e aviacionit luftarak shqiptar, por ka pasur kohë që edhe të shkrepë foto artistike, të mbikëqyrë të gjithë sigurinë e tuneleve nëntokësore, madje edhe të fotografojë me dronë pjesën e avionëve luftarakë që ndodhen jashtë tuneleve.
Edhe në Porto Palermo, ashtu si në Gjadër bën një përshkrim të bazës. Ashtu si në Gjadër, edhe këtu e dyshuara si spiune ruse gjen gjurmët kineze të ndërtimit të bazës.