Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dje ka publikuar një sondazh nga MRB që tregon se 49.2% e shqiptarëve mendojnë se faji i mos avancimit të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian është i qeverisë.
Tabaku me anë të një postimi në rrjete sociale tha se qeveria dhe kryeministri Edi Rama prej kohësh e justifikojnë mos hapjen e negociatave si faj të betejave të brendshme të BE, por kjo sipas saj është vetëm një propagandë e shitur tek qytetarët.
“Një sondazh i ndërmarrë nga kompania MRB ka dëshmuar se mbi 70% e shqiptarëve kanë aspiratë për t’u integruar në Bashkimin e Europian. Pjesa më pikante e gjithë këtij diskutimi ishte sondazhi ku 49.2% e shqiptarëve ishin të bindur që fajin për mos avancimin në procesin e integrimit në BE e ka qeveria shqiptare.
Për vite me radhë një qeveri e dështuar dhe kryeministri i saj kanë pohuar me këmbëngulje të vazhdueshme se fajin për procesin e integrimit e ka beteja e brendshme në BE. E vërteta është se shqiptarët nuk e kanë blerë këtë gënjeshtër që propaganda e qeverisë e shet çdo ditë nga televizori apo nga rrjetet sociale.
Nuk është faji i BE përse Shqipëria nuk ka nisur bisedimet por është faji i qeverisë që ka dështuar në përmbushjen e kushteve”, u shpreh ajo.
Tabaku tha se kryeministri dhe qeveria nuk kanë vullnet politik për ta çuar përpara këtë nismë teksa shtoi se opozita do të bëjë çmos për vijimin e këtij procesi. Sipas saj edhe pse pa dëshirën e qeverisë, opozita nuk do të lodhet së këmbënguluri.
“Shqipëria ka dështuar në avancimin e këtyre kushteve. Fajtor për këtë mbetje në vendnumëro është padyshim Rama dhe qeveria e tij që nuk kanë vullnetin politik për ta avancuar.
Kushdo e ka të qartë se kjo qeveri nuk ka as vullnet, as dëshirë dhe as angazhimin për ta çuar përpara këtë proces. Por, ne besojmë se megjithë pa dëshirën e qeverisë ne duhet të ecim përpara në këtë proces të nisur. Ndaj nuk do të lodhemi të këmbëngulim”, tha ajo.